E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat spanjolle: Sa i pamërshirshëm futbolli!

TIRANE-Krenari pas zhgënjimit. Megjithë eliminimin e Barcelonës nga Champions League, pas barazimit 2-2 me Çelsin në “Kamp Nou”, mediat katalanase shprehen me nota pozitive për skuadrën e tyre, duke fajësuar fatin për gjithçka. “Sa i padrejtë është futbolli!

Forca Barça!”, është titulli i faqes së parë i të përditshmes “Sport”. “Të jesh i Barcelonës, është gjëja më e mirë që ekziston”, titullon “El Mundo Deportivo”. “Barcelionizmi mund të jetë krenar për një skuadër që ruajti stilin e saj dhe u rrëzua duke luajtur futboll. 95845 tifozët kanë mbështetur skuadrën e tyre deri në frymën e fundit”, shkruan më tej kjo gazetë. “Një lamtumirë e pamëshirshme”, “Mallkimi i shtyllave”, “Kampioni përjeton një tragjedi greke”, “Nuk fitoi futbolli më i mirë”, ishin disa nga titujt e gazetave sportve të Barcelonës, të shokuara për një eliminim, që vjen tre ditë pas disfatës me Realin e Madridit në kampionat. “El Mundo” e Madridit shkruan se “Barcelona ndaj Çelsit përfundoi javën e saj tragjike. “Monologu më tragjik i Barçës”, është apertura sportive e “El Pais”, që më pas flet edhe për “mallkimin e Mesit”, i konsideruar si “simboli i humbjes”. Përveç eliminimit, Mesi nuk arriti të kalonte kuotën e 14 golave të shënuara edhe nga Altafini në vitin 1963. Mediat e Madridit gjithsesi flasin për fundin e një cikli, ndërsa ngrenë dyshime të shumta edhe për të ardhmen e Pep Guardiolës, i cili pas ndeshjes e la gjithçka të paqartë. “Tani është momenti për të folur, por jam shumë i trishtuar”, ushpreh tekniku katalanas.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›