E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Rama premton lëvizje të lirë, me PS-në në pushtet

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përmbyllur festimet e 28 dhe 29 Nëntorit në Athinë të Greqisë, së bashku me emigrantët shqiptarë

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kapërmbyllur festimet e 28 dhe 29 Nëntorit në Athinë të Greqisë, së bashku me emigrantët shqiptarë atje. Gjatë takimit të zhvilluar, kreu i PS-së ka falënderuar emigrantët për kontributin, që çdo shqiptar në Greqi jep për vendin e tij dhe që arrin të mbajë në këmbë, jo vetëm familjen e tij, por edhe vetë Shqipërinë, duke i dhënë ekonomisë shqiptare, jo pak, por 1.3 miliardë euro. Rama ka shprehur respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që sot kanë arritur të jenë sipërmarrës, që e kanë nisur nga hiçi dhe kanë arritur të ndërtojnë një jetë të sigurt në emigracion. Në fjalën e tij, kreu socialist shprehu nevojën që kanë emigrantët shqiptarë për të lëvizur të lirë, dhe premtoi se kjo do të bëhej realitet në mandatin e PS-së.

“Ne na duhet politika e re e shqiptarëve, që të jetë shprehje e njerëzve, që, së bashku të zgjidhim probleme, që vetëm nuk i zgjidhim dot. Askush nuk e zgjidh dot i vetëm çështjen e certifikatave, të kalimit të lirë të kufirit, të lëvizjes së lirë, të shkollimit të fëmijëve në gjuhën shqipe. Por, së bashku, ne mund t’i zgjidhim këto probleme dhe të japim mundësi të reja, shanse të reja, që të shkojmë më larg, dhe që fëmijëve t’ju garantojmë një jetë më të mirë se sa sot. E pra, për këtë ka lindur politika dhe për këtë arsye na duhet një politikë e re, përmes një bashkimi të ri qytetarësh, i cili buron nga nevoja për njerëzit dhe për njerëzit”,- tha Rama. Duke vlerësuar rëndësinë e financimit dhe përkrahjes së mësimit të gjuhës shqipe, Rama ka bërë gjithashtu thirrje për një bashkim të gjithë emigrantëve nën një qëllim të vetëm. “Unë dua sot t’ju them se është koha që të gjithë bashkë, të mendojmë dhe të punojmë që, këto përpjekje të jashtëzakonshme, të kthehen në një forcë të re, në një forcë, e cila është shprehje e vullnetit të përbashkët shoqëror dhe demokratik, për të bërë që emigrantët në Greqi e kudo, të mos jenë thjesht ata që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare, apo që vijnë në Shqipëri si turistë, por të jenë pjesë e atdheut në të gjithë hallkat e vendit. Sot është koha që ne të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të gjithë shqiptarëve. Është koha për sfidën atdhetare dhe shoqërore, që çdo shqiptar e shqiptare të lëvizë lirisht dhe të ketë një pasaportë, e cila është njësoj si pasaportat e tjera të Bashkimit Evropian”,- u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, politika e re do të jetë, jo në emër të së shkuarës, por në emër të së ardhmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›