E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Gati për koalicion të ri pa Berishën

PDK-ja po kontakton me parti të qendrës së djathtë, por edhe politikanë dhe intelektualë të djathtë, që kanë kontribute të shquara

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka konfirmuar dje aleancat parazgjedhore që do të lidhë me parti të djathta, por jo më PD-në. Një projekt, i cili është diskutuar shumë kohë më parë, por që filloi të konkretizohej që pas përfundimit të grevës 9-ditore të urisë, ku PD-ja nuk mori parasysh kërkesën e demokristianëve për përfshirje në të gjitha nivelet e komisioneve. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Ndoka ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, të Dashamir Shehit, por edhe me partinë e Spartak Ngjelës që pritet të publikohet këtë muaj. “Partia Demokristiane po bën të gjitha përpjekjet për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm të djathtë me të gjithë faktorin politik të djathtë në Shqipëri. Për fat të keq, politika shqiptare, gjatë këtyre, viteve ka operuar nga e majta në të majtë, pra nga lidershipi i PD-së tek lidershipi i PS-së. Madje, kohët e fundit, gjatë këtij mandati, PD-ja si asnjëherë tjetër shfaqi një profil të majtë, pasi ishte “vetëpastruar” nga shumica e elementit të djathtë në këtë parti. Politikanët kryesorë të kësaj partie janë ish-funksionarë të lartë të Partisë së Punës, ose janë huazuar nga Partia Socialdemokrate e Gjinushit, ose vijnë nga familje me prejardhje të majtë. Shtresa e ish-të përndjekurve politikë, ish-pronarët, familjet e djathta tradicionale dhe intelektualët antikomunistë, nuk përfaqësohen tashmë tek PD-ja”,- tha dje Ndoka. Kryetari i PDK-së shtoi se gjatë këtyre tre viteve, PD-ja ka treguar një agresivitet ndaj çdo elementi të djathtë. “Në këto kushte, PDK-ja është angazhuar me të gjitha potencialet e saj për të ringritur të djathtën shqiptare dhe vlerat e saj politike, morale e kombëtare. Ne kemi marrë nismën për organiziminpolitik të të gjithë faktorit të djathtë në një grupim të vetëm, ku përfshihen partitë e qendrës së djathtë, por edhe politikanë dhe intelektualë të djathtë, që kanë kontribute të shquara për demokracinë në Shqipëri, por që PD-ja është përpjekur t’i denigrojë dhe t’i nxjerrë nga politika”,- tha Ndoka, por pa cituar emra konkretë intelektualësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›