PS evropiane, Rama, takime në Madrid
TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama, mori pjesë dje në punimet e Këshillit të Partive Socialiste Evropiane, që po zhvillohet në Madrid të Spanjës. Gjatë këtyre punimeve, Rama ka takuar Presidentin e Internacionales dhe Kryetarin e Pasok-ut, Papandreun, i cili e uroi për zgjedhjen si Kryetar i Komisionit të Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore. Rama e ftoi Papandreun në takimin e parë të Komisionit, që do të zhvillohet në fillim të 2009-s. Midis dy liderëve është folur edhe për programin e ri qeverisës të PS-së. Edi Rama takoi, gjithashtu, Luis Ajalën, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, ku u fol për organizimin e takimeve në Tiranë dhe për reformën e re të Internacionales Socialiste. Gjatë punimeve të Këshillit, Kryetari i PS-së zhvilloi një takim edhe me Martin Shultz-in, Kryetar i Grupit Parlamentar i PE-së, të cilin e informoi për reformën elektorale, ndërsa Shultz-i shprehu interes për të ardhur në Tiranë. Një tjetër takim, ishte ai me Kryeministrin bullgar dhe njëkohësisht Kryetarin e Partisë Socialiste bullgare, Sergei Stanishev, i cili premtoi se do të dërgojë në Tiranë një ekip për disa çështje të programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Edi Rama takoi, gjithashtu, edhe Kancelarin austriak, Alfred Gusenbauer, Valter Veltronin, Kryetarin e të majtës italiane dhe Paul Rasmusen, Presidentin e PSE-së.