E Diel, 1 Nëntor 2026

Meçani: Për rrugën Durrës-Kukës, firmosi Berisha

Kryeministri Sali Berisha, mbështet ministrin e Jashtëm dhe e përjashton këtë të fundit nga çdo përgjegjësi

TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha, mbështet hapur ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të për shpërdorim detyre. Përmes një konference për shtyp, zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani, ka deklaruar dje mbështetjen e plotë që gëzon ministri Basha nga kabineti qeverisës edhe pse për të, organi i akuzës disponon të gjitha provat që vërtetojnë shkeljet, në kohën që ai drejtonte Ministrinë e Transporteve, në projektin e rrugës Durrës-Kukës. Por, përpos kësaj, kreu i ekzekutivit, Berisha, ka marrë të gjitha përgjegjësitë përsipër, duke lënë jashtë kreun e diplomacisë shqiptare, Basha. “Ministri i Punëve të Jashtme të qeverisë shqiptare, zoti Lulzim Basha, gëzon mbështetje të plotë dhe vlerësimin më të madh të Kryeministrit të vendit, të qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse, për punën e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për kontributin e dhënë në bashkëpunimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në institucionet Evropiane dhe Euroatlantike”,- tha zëdhënësja e Kryeministrit, Meçani. Duke i konsideruar një farsë akuzat kundrejt ministrit të Jashtëm, ajo theksoi se çdo vendim që lidhet me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, është një vendim i Këshillit të Ministrave, duke e përjashtuar nga çdo përgjegjësi ministrin. “Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor Durrës-Kukës-Morinë, është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i ndonjë ministri apo zyrtari të veçantë. Ministri Basha, në detyrën e Ministrit të Punëve Publike, ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh, vullnetin politik të Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si dhe të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave përkorridorin shqiptar, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit”,- tha ajo.

Megjithatë, plot dy ditë më parë, zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme bënë më dije se organi i akuzës kishte realizuar akte-ekspertimi të disa projekteve që janë firmosur nga vetë Lulzim Basha, kur ishte ministër i Transporteve, për të cilat dyshohet se bëhet fjalë për një dëm të konsiderueshëm, shkaktuar shtetit. Ndërsa Kryeministri Berisha, përmes zëdhënëses Meçani garantoi se qeveria do të mbetet e përkushtuar dhe transparente ndaj ligjit dhe institucioneve të këtij vendi, në çdo akt, vendim dhe veprim të saj, edhe pse vetëm dy ditë më parë, në fakt, ministri Basha nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat kundër organit të Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›