E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Venizelos: Trojka kërkon masa të tjera

ATHINE-Ministri grek i financave Evangelos Venizelos bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp se Trojka kërkon masa shtesë nga qeveria greke, por siguroi se kjo nuk do të thotë që rrezikohet kësti i gjashtë i ndihmës për vendin.
Ministri siguroi se ka para të mjaftueshme për të paguar pagat e Tetorit, duke pergënjeshtruar zërat se arka e shtetit është thuajse bosh, edhe pse vetë ai, disa ditë më parë u shpreh se rezervat “kanë ndezur dritën e kuqe”.
Venizelos dha argumentat pse Eurogrup e shtyu mbledhjen e 13 Tetorit, ku do merrej vendimi për këstin e gjashtë. Sipas tij, kjo u bë për 3 arsye:
Së pari, se më 17-18 Tetor është takimi i Këshillit Evropian
Së dyti, se parlamentet kombëtare të Eurozonës duhet të përfundojnë ratifikimin e vendimeve për zgjerimin e EFSF

Së treti, sepse pritet raporti i Trojkës, që është baza për lëvrimin këstit të gjashtë të ndihmës
Eurogroup mori tre vendime të mëdha, tha ministri Venizelos: “Sistemi bankar është i sigurt absolutisht, Greqia është dhe do të mbetet një anëtare e zonës Euro dhe nuk bëhet fjalë për falimentim të vendit”.

Ministri i Financave përsëriti se arritja e objektivit të deficitit këtë vit, varet nga kontributi i qytetarëve. Ai i apeloi administratës publike dhe qytetarëve se duhet të zbatohen masat e marra për të bindur tregjet se Greqia e ka një zgjidhje.
Ndërkaq në një intervistë për TV Skai, zëvendëskryeministri Theodhoros Pangalos tha se nuk mund të kërkojmë një buxhet të balancuar duke vendosur taksa të reja.
Pangalos sqaroi se Greqia është një vend si asnjë tjetër në Evropë ku kombinohet deficiti i madh, borxhi i madh dhe prodhimi i ulët. Këto janë arsyet që sipas tij, Greqia është zgjedhur si vend i dobët nga spekulatorët, që përpiqen të godasin zonën Euro.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›