Greqi, arrihet marrëveshja për reformat e kursimit
Arrihet marrëveshja për reformat e kursimit në Greqi. Liderët politikë kanë arritur marrëveshjen për reformat e kërkuara, për të siguruar pakon madhore ndërkombëtare të ndihmës për parandalimin e vendit nga falimentimi.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, citohet se partitë në koalicionin qeverisës të Greqisë, kanë arritur marrëveshjen e përgjithshme, për masa shtesë të kursimit.
Këto masa kërkoheshin nga kreditorët ndërkombëtarë, në shkëmbim për dhënien e ndihmës financiare. Dy sindikatat më të mëdha publike dhe private tashmë kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme për nesër dhe pasnesër, për të shprehur kundërshtinë me masat e propozuara të kursimit.
****************
Në Greqi është shtyrë për nesër në mëngjes takimi ndërmjet kryeministrit grek Papadhimos dhe krerëve politikë.
Takimi i cili ishte parashikuar për sot në mbrëmje do të parashtronte finalizimin e memorandumit të masave dhe marrëveshjes së re të kredisë.
Ndërkaq, bisedimet me Trojkën për të finalizuar kushtet e marrëveshjes së kredisë prej 130 miliardë euro janë në fazat e fundit.
Ashtu siç raportojnë mediat, të cilat i referohen zëdhënësit të PASOK-ut, kryeministri Lukas Papadhimos ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme të Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët europianë operojnë me Planin B, pra falimentimin e Greqisë.
Këtë shënim ai do ta shfaqë në takimin me tre liderët e partive, të cilët mbështesin qeverinë e tij.
***************
“Kriza në Greqi” mbledh sërish në një takim kryeministrin Papadhimos me krerët politikë, ndërsa pas pesë orësh diskutimi, asgjë nuk ka dalë në dritë. Ende nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të plotë mes palëve mbi përmbajtjen e elementeve-bazë të një marrëveshjeje me Trojkën për programin e ri ekonomik në Greqi.
Kjo marrëveshje shihet si një parakusht për mbështetjen e re financiare të vendit. Ndërkaq, një takim i ri do të zhvillohet nesër mes kryeministrit dhe liderëve politikë. Kreu i Demokracisë së Re, Samaras deklaroi: Nuk duam recesion më të madh, sepse vendi nuk mund ta përballojë.
Kryetari i PASOK njoftoi mbledhjen urgjente të Këshillit politik të partisë këtë mbrëmje, ashtu si edhe Demokracia e Re do mbledhë kryesinë e saj, ndërsa kreu i LAOS Jorgos Karaxhaferis tha se ai nuk do të kontribuojë në shpërthimin e revolucionit, për shkak të varfërisë, që do ta mposhtë të gjithë Europën.
Në takim u ra dakord për çështjet kyçe, për reduktimin e shpenzimeve publike në vitin 2012, uljen e pagave dhe kostove të punës, rikapitalizimin e bankave, etj.
Kryeministri dhe udhëheqësit politikë do të takohen përsëri nesër për të përfunduar konsultimet rreth përmbajtjes së programit.