E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji, ndërtuesit përjashtohen nga tenderët publik kur nuk kryejnë punimet



Ervin KOÇI

Qeveria ka vendosur që t’u presë rrugën dhënies së tenderova për një pjesë të kompanive private të ndërtimit që sipas saj nuk janë korrekte me realizimin e afateve. Nga dje, të gjitha kompanitë e ndërtimit të cilat nuk kanë përfunduar deri në 70 për qind të punimeve për realizimin e investimit të marrë përsipër nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në tenderët publikë. Ndryshimet e miratuara nga qeveria në "Vendimin për miratimin e rregullave për prokurimin publik", hynë dje në fuqi me publikimin e saj në fletoren zyrtare duke i imponuar prokurimeve publike ndalimin e pjesëmarrjes në tenderë të kompanive që e kanë fituar një të tillë dhe nuk kanë përmbushur pjesën më madhe të veprës në ndërtim. Po ashtu, sipas ndryshimit të bërë, kompanitë e ndërtimit kanë të drejtë të marrin pjesë apo të shpallen fituese në prokurime publike, në të njëjtin autoritet kontraktor, brenda së njëjtës periudhë, kur projekti arrin deri në 70 për qind të vlerës së kategorisë së licencës të përcaktuar. Në rastet kur kompanitë e shkelin këtë vendim, duke marrë pjesë në gara që tejkalojnë 70 për qind të vlerës, atëherë kontrata do t'u shpallet e pavlefshme, si dhe do të përgatiten procedurat për heqjen e licencës.

Ndryshimet

Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve ndalohet të kualifikojë për punë publike, të prokuruara sipas ligjit të prokurimit publik, operatorët ekonomikë që janë fitues dhe/apo kanë në proces në të njëjtën kohë si kontraktorë/nënkontraktorë në investim/investime sipas një kontratë apo kontratave të lidhura a në proces për t'u lidhur, sipas ligjit për prokurimin publik, i cili në çastin e hapjes së ofertave nuk i ka përfunduar punimet fizike në masën, 70 për qind të vëllimeve të përgjithshme të punës që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën e bashkëpunimit. Përcaktimi i mësipërm vlen edhe për rastin e bashkimit të operatorëve, ku secili prej tyre, për t'u kualifikuar për punë publike, duhet të ketë përfunduar punët fizike në masën 70 për qind të vëllimeve të përgjithshme të punës që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën. DPRR-ja ndalohet të kualifikojë për punë publike të prokuruara sipas ligjit për prokurimin publik ata kandidatë të cilët në çastin e hapjes së ofertave brenda së njëjtës periudhë janë kontraktorë ose nënkontraktorë me këtë autoritet për kontrata të lidhura me vlerë të përbashkët ose të veçantë, jo më të madhe se 100 për qind i kufirit maksimal të që disponon kandidati sipas licencës profesionale të lëshuar nga Ministria Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit.

Procedurat

Vendimin për të ndryshuar procedurat e prokurimeve publike qeveria e ka miratuar në fund të muajit Korrik, në bazë të të cilit synohej edhe përmirësimi i sistemit elektronik për apikimet për tenderime. Miratimin e këtyre ndryshimeve Kryeministri Sali Berisha i justifikoi me rritjen e aftësive të kompanive duke i shtyrë ato që të investojnë në teknologji me anë të blerjes së makinerive të reja. "Kompanitë duhet të fuqizojnë kapacitetet, të blejnë makineri, të fuqizojnë stafet dhe të zmadhohen. Nga një anë, mund të duket si kufizim, por absolutisht nuk synon atë, përkundrazi",- deklaroi kryeministri Berisha gjatë miratimit të këtyre ndryshimeve. Në momentin e miratimit të këtyre ndryshimeve, ndërtues të ndryshëm i cilësuan ato si një veprim me qëllim kufizimin e garës për tenderët publike me qëllim favorizimin e kompanive pranë qeverisë.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›