E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, deficiti mund të arrijë 12.5%

Ekonomia greke vazhdon të përkeqësohet ndërkohë që deficiti rritet vazhdimisht dhe pritet që në fund të vitit 2009 të arrijë deri në 12.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), deklaroi ministri i Financave, Giorgio Papaconstantinou, ndërkohë që korrigjimet e shpeshta të shifrave kanë shkaktuar shpërqendrim si në Greqi, po ashtu edhe në Bruksel. "Deficiti tashmë është jashtë kontrollit", ishte titulli që mbizotëronte sot në shtypin grek, që citonte konfirmimet e vetë ministrit të Financave.
Por disa analistë, duke u bazuar në rritjen negative me rreth 1.5 për qind të PBB-së që është parashikuar për vitin 2009, sugjerojnë se deficiti mund të arrijë edhe në 13 për qind.
Edhe Brukseli, me anë të komisionerit Joaquin Almunia, shprehu shqetësime për shifrat tepër të larta dhe kontradiktore që janë dhënë gjatë muajve të fundit nga autoritetet greke. Almunia, pas një takimi me Papaconstantinou në Luksemburg, i kërkoi këtij të fundit ta bëjë sa më të qartë çështjen e deficitit dhe të prezantojë një plan të detajuar reformash strukturore para se t'i përgjigjet kërkesës së Athinës për më shumë kohë në dispozicion për uljen e deficitit në 3 për qind të PBB-së, ashtu siç kërkojnë edhe rregullat e BE-së, njoftoi sot media greke.
Në fillim të vitit 2009, qeveria e qendrës së djathtë të Costas Karamanlis kishte parashikuar se deficiti do të arrinte deri në 3.7 për qind të PBB-së. Disa muaj më vonë u bë një tjetër deklaratë ku thuhej se deficiti do të arrinte në 6 për qind. Menjëherë një muaj më vonë, dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria njoftoi se deficiti mund të arrinte edhe 8 për qind.
Pasi erdhën në pushtet socialistët, guvernatori i Bankës së Greqisë, Giorgio Provopoulos, pas një takimi me kryeministrin Giorgio Papandreu, pohoi se deficiti ishte më i lartë dhe parashikoi se mund të arrinte maksimumi deri në 10 për qind. Por disa ditë më vonë i njëjti guvernator deklaroi se deficiti mund të arrinte deri në 12 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›