Rivendosen gurët kufitarë në Debëllde
Policia kufitare e Republikës së Maqedonisë i ka kthyer gurët kufitar në vijën kufitare të përcaktuar ditë më parë me marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Shkupit dhe Prishtinës. Banorët e fshatit kufitar Debëllde të Vitisë, të martën larguan gurët kufitarë, të pakënaqur me marrëveshjen e lartpërmendur e cila sipas tyre i fal 22 hektarë tokë, shtetit të Maqedonisë. Protestuesit kërkuan nga qeveria e Kosovës, që të shqyrtojë kërkesat e banorëve për kthim të pronave dhe kompensimin e tyre, të pashfrytëzuar që prej 9 vitesh, ndërsa në të kundërtën paralajmëruan radikalizmin e veprimeve të tyre. Banorët e Debëlldesë, kanë deklaruar se asnjëherë nuk do t'i japin tokat e tyre për Maqedoninë. Duke i'u drejtuar personave të mbledhur për të protestuar, përfaqësuesi i fshatit Debëllde, Zymri Ilazi ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar që banorëve i grabit 22 hektarë, kurrë nuk do të jetë e pranueshme për banorët e këtij fshati. "Ne nuk jemi kundër definimit të vijës kufitare, por kërkojmë që ky përcaktim të mos dëmtojë pronat private të fshatarëve", ka theksuar Ilazi. Ndërsa përfaqësuesi i këtij fshati në kuvendin komunal të Vitisë, Sali Abdullahu është shprehur se qeveria e Kosovës nuk mbajti premtimin e dhënë, që para çdo marrëveshje për kufirin të merret pëlqimi i banorëve. Ndërkaq ministri i Jashtëm i Kosovës, Skendër Hyseni ka thënë as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar faktin se ka patur këmbim territoresh gjatë shënimit të vijës kufitare me Maqedoninë. Shefi i diplomacisë kosovare tha se më rëndësi është vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.