E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, dhunë në protestat për kujtim të 17 Nëntorit 1973

ATHINE - 4 policë u plagosën lehtë, 11 persona u arrestuan dhe dhjetëra të tjerë u shoqëruan pas episodeve të dhunës që ndodhën gjatë protestave të pasdites në Athinë.

Protesta u tensionua shumë pranë ambasadës së SHBA, ku protestuesit hodhën gurë e shishe molotov në drejtim të policisë dhe kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës. 

Cdo vit manifestuesit e mbyllin marshimin e tyre, me protestën pranë ambasadës amerikane, në shenjë proteste ndaj rolit të SHBA gjatë sundimit të Juntës Ushtarake në Greqi. 

Gjatë përleshjeve protestuesit thyen xhama, dritat e rrugëve dhe iu vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave. 

Policia ishte në gatishmëri për këtë ditë. 7 000 forca policore patrullonin nëpër rrugë për të parandaluar cdo sulm të mundshëm.

Në ruajtje të plotë ishin ndërtesat e rëndësisë së vecantë si ambasadat, ministritë, parlamenti.

Policia kishte urdhëruar mbylljen e stacioneve të metrosë në qendër të Athinës dhe ndryshime në trafikun e mjeteve, në këtë zonë.

Marshimi i pasdites ishte kulmi i veprimtarive 3 ditore të zhvilluara me rastin e 38 vjetorit të shtypjes me dhunë të demonstratave studentore nga Junta Ushtarake, që qeverisi Greqinë për 7 vjet.

Gjatë protestave madhështore të 17 Nëntorit të vitit 1973, 16 vetë u vranë dhe qindra u plagosën, kur tanket ushtarake hynë në universitet dhe shtypën me gjak lëvizjen studentore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›