E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, e zë masivi i dheut në punë, vdes shqiptari

Nga Aleksandër Marku
Një emigrant shqiptarë në Athinë ka gjetur vdekjen gjatë kohës që ai punonte, pasi një masiv dheu e ka zënë atë poshtë duke e groposur të gjallë. Bëhet fjalë për Bilbil Demir Basha, nga Kruja i cili punonte në Athinë. 

ATHINE- Mbi 60 zjarrfikës dhe anëtarë të ekipit të shpëtimit, bashkë me një qen nuhatës kanë marrë pjesë në operacionin për gjetjen e trupit të emigrantit shqiptar.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në mëngjesin e ditës së sotme në lagjen “Neo Psiqiko” të Athinës ku emigranti shqiptar punonte me një brigadë, në themelet e një pallati. Papritmas një mur dhe një masë e madhe dheu kanë rrëshqitur dhe e kanë varrosur atë për së gjalli në një thellësi prej 4 metrash nga niveli i tokës.
Megjithëse ekipet e shpëtimit kanë mbërritur shpejt në vendngjarje nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi për të. Trupi i emigrantit shqiptarë është gjetur pas disa orësh pa jetë. Ngjarjen e kanë transmetuar po thuajse të gjitha mediat greke .
Bëhet fjalë për emigrantin shqiptar Bilbil Demir Basha, i datëlindjes 1975, nga Kruja i cili punonte në Athinë. Trupi i tij pa jetë u dërguar në spital dhe më pas në morgun e kryeqytetit ku dhe po kryhen proceset e riatdhesimit.
Ajo që venë në dukje mediat greke është fakti se grupet e shpëtimit kur mbërritën në vendngjarje nuk gjetën asnjë prej drejtuesve teknikë të ndërtimit, ndërsa e gjithë brigade e punëtorëve përbëhej nga emigrantë të huaj.
Organet greke të rendit kanë deklaruar se kanë filluar menjëherë një hetim për tu gjendur fajtorët duke hetuar gjithashtu nëse janë ruajtur edhe masat e sigurisë në punë. Sipas të dhënave të “Eurostat” në Greqi ndodhin rreth 35000 aksidente në punë prej të cilave rreth 150 janë vdekjeprurëse. Shumica e rasteve tragjike ndodhin në sektorin e ndërtimit ku punon edhe një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë. (a.r/balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›