E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, fermerët bllokojnë kufirin me Bullgarinë

SELANIK - Situata është konfuze sot në pikat kufitare të Greqisë me Bullgarinë ku disa grupe fermerësh grekë ndërpresin në mënyrë sporadike qarkullimin. Lajmin e njoftojnë sot burime policore në Selanik, në veri. Fermerët hoqën dje pasdite pengesën në pikën kryesore kufitare mes Greqisë dhe Bullgarisë Promahonas, pas një takimi me kryeministrin bullgar, Boiko Borisov, i cili kërkoi të martën ndërhyrjen e Komisionit Evropian për rihapjen e kalimit. Ata vendosën ta bënin këtë veprim në shenjë "vullneti të mirë" pasi një delegacion prej nëntë fermershën u takua me Borisov, me kërkesën e tij në territorin bullgar. Por, ata e rivendosën bllokimin në orët e para të ditës së sotme përpara se ta lironin orët e mëvonshme. Situata në pikat e tjera kufitare Doiranis dhe Exohis është e ngjashme, shtuan të njëjtat burime. Fermerët kërkojnë një ndihmë financiare për produktet kryesore të vendit, çmimet e të cilave kanë rënë: pambuku, vaji i ulliriti, gruri, frutat. Dje, kryeministri grek, Jorgo Papandreu, i bëri të ditur homologut bullgar Borisov se u ka dërguar një "mesazh fermerëve për hapjen e kufirit dhe se pranon një dialog publik për të ardhmen e bujqësisë greke, rruga e vetme për t'u përballur me problemet e sektorit", mësohet nga një komunikatë e zyrës së tij të shtypit. Në parlament, Papandreu deklaroi: "nuk mund t'i japim ndihmat financiare që kërkojnë herë pas here fermerët, sepse ky do të ishte krim për popullin grek". Shoqata panhelenike e fermerëve, vendosi sot heqjen e pengesave rrugore deri në takimin e nesërm me ministren e Zhvillimit Bujqësor, Katerina Btzelis. Ndërsa fermerët e Thesalisë, në qendër, kanë vendosur të manifestojnë të hënën në Athinë ku pritet të zhvillohet një mbledhje mes qeverisë dhe fermerëve për të ardhmen e bujqësisë greke. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›