E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, grevë masive e sindikatave, nesër protesta në shesh

ATHINE- Greqia është “paralizuar” për shkak të grevës 48 orëshe që ka filluar sot, organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, me të cilat do të bashkohen edhe partitë politike në mënyrë që reagimi popullor dhe protesta të jetë sa më masive.

Me grevën që ka nisur në Greqi është bashkuar edhe media. Në grevë janë trenat, metrotë, autobusët, anijet dhe kontrollorët e trafikut ajror. Për shkak të grevës, disa shoqëri ajrore njoftuan fluturime shtesë dhe ndryshime në oraret e tyre.

Megjithë vendimin e gjykatës që e shpalli grevën e tyre të paligjshme, doganierët janë përfshirë në këtë ndalesë pune 48 orëshe, ku marrin pjesë edhe zyrtarët e sektorit të tatimeve dhe punonjësit e bashkive.

Me grevën e sotme janë bashkuar punonjësit e spitaleve publike, ku do të punohet me personel sigurie, dhe stomatologët, ndërsa mjekët e sigurimeve shëndetësore (IKA) kanë njoftuar greva 24-orëshe të përsëritura gjatë javës.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë filluar tashmë grevën 10 ditore, ndërsa avokatët, gjyqtarët, mësuesit dhe pedagogët janë përfshirë në grevën 48-orëshe. Bankat gjithashtu janë mbyllur dhe kanë ngritur frenat e dorës edhe taksitë. Në grevë janë punonjësit e postave dhe të burgjeve, ndërsa nesër do të jenë të mbyllura të gjitha dyqanet duke përfshirë edhe pikat e furnizimit me karburant.

Kjo grevë masive paralizon si asnjëherë më parë jetën në Greqi, duke shkaktuar dëm kolosal për ekonominë greke, por sindikatat shprehen se nuk tërhiqen nga protestat e tyre kundër projektligjeve që ka nxjerrë qeveria dhe Policia greke ëshët e përgatitur për të përballuar cdo situatë që krijohet në të tilla raste.

Ndërkohë që në fundjavë Greqia do të jetë sërish objekt i takimeve të rëndësishme në Evropë, kryeministri grek Papandreu vazhdon kontaktet me faktorët politikë në vend.

Mësohet se nga takimi djeshëm me kreun e opozitës Samaras, ky i fundit ka dalë shumë i pakënaqur dhe sot pritet një tjetër kontakt telefonik i të dyve, ndërsa Papandreu do të takojë edhe kryetarin e komunistëve, të partisë LAOS dhe politikanë të tjerë grekë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›