Greqi, gripi i derrit rrezikon vitin e ri shkollor
Përhapja e virusit të gripit të derrit në shtetin fqinj, Greqi, ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore për shkak të shtimit të madh të rasteve. Greqia është ndër vendet e para në Europë që ka shpallur pandeminë e virusit A/H1N1. Këshilli Kombëtar për luftën kundër gripit të derrit në Greqi pritet të mblidhet këtë javë për të vendosur nëse viti i ri shkollor do të nisë si çdo vit më 1 shtator, në një kohë kur përhapja e sëmundjes vazhdon me shpejtësi në të gjithë vendin. Deri tani Këshilli i ka sugjeruar ministrit grek të Shëndetësisë që të urdhërojë hapjen e shkollave dhe kopshteve më 1 shtator. Këshilli pritet të marrë gjithashtu një vendim lidhur me vaksinimin e të gjithë popullatës kundër virusit të gripit A/H1N1. Javën e kaluar Ministria greke e Shëndetësisë shfuqizoi një moratorium tremujor, që ndalonte shitjen e ilaçeve antigrip, si Tamifluja, por ndërkohë ky institucion ka zbatuar masa të rrepta dhe një ilaç i tillë mund të jepet vetëm me rekomandim të mjekut. Qeveria greke ka bërë një blerje masive të ilaçit dhe e gjithë popullsia e Greqisë pritet të vaksinohet falas, pasi janë porositur 24 milionë vaksina, që pritet të mbërrijnë në mesin e muajit të ardhshëm. Nëse Greqia do të ketë një mbulesë vaksinale mjaft të madhe, vendi ynë po mundohet të sigurojë një pjesë të këtyre dozave për kategoritë më emergjente. Madje, Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo është shprehur qartë se nuk mund të ketë një mbulesë vaksinale 100 për qind për shkak të mungesës fondeve dhe kërkesave të mëdha që ka për blerjen e vaksinës. Anila Godo, deklaroi se edhe Shqipëria ka hyrë në fazën e negocimeve me kompanitë farmaceutike që po merren me prodhimin e vaksinës kundër A/H1N1. Ministrja Godo thotë se ndoshta në vjeshtë vaksina do të vijë, por kjo ende nuk dihet dhe se mendohet të paktën të vaksinohet rreth 1/3 e popullsisë. “Thuhet që në vjeshtë do ta kemi. Praktikisht ne jemi në bisedime në mënyrë që ne të mbulojmë tërë atë kontingjent popullate. Ndoshta do të jetë 1/3 e popullatës, ndoshta dhe më shumë, që ne mendojmë që duhen vaksinuar. Ka disa diskutime, disa bisedime të tjera, që vetë laboratorët farmaceutikë do t’i dhurojnë një numër të madh vaksinash OBSH-së. Ndoshta një sasi vaksine do të vijë dhe nëpërmjet OBSH-së”, - sqaroi Anila Godo dy ditë më parë.
Ministrja Godo shprehet se po mundëson dhurimin e vaksinave nga OBSH-ja, më të cilët po realizon bisedime për sigurimin e një pjese të tyre. OBSH-ja shpreson që deri në mes të muajit tetor të jenë gati rreth 100 milionë doza vaksine. Specialistët bëjnë të ditur se vaksina po prodhohet me ritme të shpejta për të siguruar shpërndarjen e menjëhershme në të gjithë vendet e botës, ku janë porositur të gjitha dozat nga çdo vend.
12 Gusht 2009