Greqi, helmohen qindra imigrantë nga Somalia dhe Afganistani
ATHINË- Qindra imigrantë ilegalë Nga Somalia dhe Afganistani që ndodhen në qendrën e ndalimit në ishullin grek Lesbos, janë sëmurur pas konsumimit të ujit të ndotur. Mësohet se shkak ka qënë impianti hidrik i qendrës që ishte ndryshkur dhe jo i mirëmbajtur.
Policia deklaroi se sot stafi mjekësor i spitalit të Lesbos ka dhënë ndihmën e menjëherëshme pas incidentit të ndodhur në qendër. "Pjesa më e madhe e imigrantëve që ndodhen në qendër janë helmuar", deklaroi një zyrtar i policisë për Reuters.
"Ata ndodhen në gjendje të rëndë, por nuk mund të transportohen në spital sepse janë shumë", shtoi zyrtari. Imigrantët që ndodhen në qendër janë rreth 600 persona nga Somalia dhe Afganistani.
Qëndra ku mbaheshin emigrantët është kritikuar edhe më parë. Oganizata mjekësore ''Mjekët Pa Kufij''(MSF) denoncoi një krizë humanitare gjatë muajit korrik, duke iu referuar kësaj qendre. Greqia është kritikuar nga shumë raporte ndërkombëtare për emigrantët, punësimin e tyre, pagesën, apo racizmin ndaj tyre. Vitet e fundit shteti grek lakmohet shumë nga emigrantët nga Afrika dhe Azia, të cilët zgjedhin brigjet greke për të kaluar më pas klandestinë në Europën Perëndimore.
(d.b/BalkanWeb)