E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, imigrantët do të integrohen në radhët e policisë

Michalis Chrisochoidis, ministri për Mbrojtjen e Qytetarit, dikasteri që drejton edhe rendin publik, shpjegoi gjatë një takimi me eksponentë të lëvizjes anti-raciste se gjatë fazës së parë, imigrantët mund të punësohen si "asistentë" të policisë për të kryer rolin e psikologut ose përkthyesit në marrëdhënien ndërmjet policisë dhe komunitetit të huaj që punon dhe jeton në Greqi.
     
Në një fazë të dytë, imigrantët e brezit të dytë mund të punësohen si agjentë në radhët e policisë. Megjithatë për të bërë këtë lëvizje do të duhet amendimi i një dekreti presidencial.
     
Deklarata e Chrisochoidis vjen pas shumë debatesh që shkaktoi vdekja e 27-vjeçarit nga Pakistani, Mohammed Atif Kamran. Shkaqet e vdekjes ende nuk janë zbardhur zyrtarisht, por sipas denoncimeve ai është keqtrajtuar dhe torturuar në komisariatin e policisë të Nikaias, në periferi të Athinës.
     
Lëvizja anti-raciste dhe ajo e anarkistëve, disa OJQ, të Gjelbrit dhe partia e ekstremit të majtë "Syriza", i kanë kërkuar qeverisë të hetojë sjelljen brutale të policisë ndaj imigrantëve dhe kategorive të tjera shoqërore, që në fakt është denoncuar vazhdimisht.
     
Ministri, i vënë nën presionin e protestave, deklaroi dje se dosjen e çështjes Kamran e kishte dërguar për hetim në Gjykatën e Lartë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›