E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deja Vu-ja sovjetike e Obamës?

Është kjo një situatë mjaft e ndërlikuar, deklaroi një vendimmarrës, i cili ka qenë i përfshirë në qarkun e brendshëm, i cili po debatonte për atë se si më tutje në Afganistan. Kemi hyrë, por si të dalim, kjo po na shkakton kokëçarje. Natyrisht se nuk mund të largohemi shpejt, pa menduar për asgjë tjetër dhe duke fajësuar qeverinë e kaluar për fillimin e luftës, shtoi ai.

Kjo dilemë mund të duket e njohur, në momentin kur administrata e Barack Obamës po e peshon kërkesën e gjeneralit Stanley McChrystal, për dërgimin e 40 mijë ushtarëve shtesë, por këto komente janë bërë nga Mikhail Gorbachov, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjatë debatit që u zhvillua në Kremlin, në vitet 1986 dhe 1987.

Moska përballej me disa dilema të njëjta, tetë vjet pasi që Armata e Kuqe e pushtoi Afganistanin, me të cilat sot përballet edhe Obama, tetë vjet pas hyrjes së forcave amerikane në Afganistan. Në retrospektivë, debati sovjetik për Afganistanin ofron disa paralele mjaft të pakëndshme.

Arkivi për Siguri Kombëtare në Universitetin George Washington së fundi ka përkthyer kronika të diskutimeve sovjetike, kryesisht të shkresave të përmbledhura nga Anatoly Cherniev, atëbotë bashkëpunëtor i Gorbachovit për politikë të jashtme. Përderisa SHBA-ja insiston se nuk është forcë okupatore, siç kanë qenë sovjetikët, që të dy misionet janë përballur me shumë sfida të njëjta.

Ne duhet të pranojmë se përpjekjet tona, të bëra gjatë tetë viteve të fundit, nuk kanë prodhuar rezultatet e pritura, theksoi një komandant i lartë, në letrën dërguar në gusht të vitit 1987 ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Dmitri Yazovit.

Burimet e mëdha materiale dhe humbjet e konsiderueshme nuk kanë prodhuar rezultatet e pritura, u theksua më tutje. (McChrystal së fundi kishte vlerësuar se afganët pas tetë viteve janë të frustruar, pasi që nuk po e shohin përparimin që kanë pritur).

Gorbachov, i cili u ngrit në pushtet në vitin 1985, gjashtë vjet pas invadimit sovjetik në Afganistan, ishte i hutuar nga situata, të cilën e kishte trashëguar nga paraardhësit e tij. Gjithashtu edhe Obama: Për gjashtë vjet, Afganistanit i janë mohuar burimet për të cilat ka nevojë, për shkak të luftës në Irak, deklaroi Obama në mars.

Për të dalë nga Afganistani, afganët duhet të jenë në gjendje të kujdesen për sigurinë e tyre, deklaroi në qershor sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates. Ketë e besonin edhe sovjetikët para dy dekadave.

Sikur edhe misionit amerikan, edhe Armata e Kuqe nuk ka pasur ushtarë të mjaftueshëm, për të kontrolluar gjitha pjesët e vendit.

Pas shtatë viteve në Afganistan, nuk ka asnjë pëllëmbë të vendit, e cila nuk është shkelur nga ushtarët sovjetikë. Por menjëherë pas largimit të tyre, armiku sërish vendos kontrollin, deklaroi në nëntor 1986, mareshali Sergei Akhromeyev.

Edhe Pakistani ka zënë një vend të rëndësishëm si në diskutimet e Shtëpisë së Bardhë, ashtu edhe ato të Kremlinit, edhe pse përfundimet dallojnë.

Kurrë nuk do të jemi në gjendje të mbyllim kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, prandaj duhet ti japim fund kësaj lufte, pat theksuar Gromyko, më 1987.

(Kemi një qendër të sigurt të militantëve në shtetin fqinjë, e cila po zhvillon komplote kundër amerikanëve dhe shteteve perëndimore dhe ajo duhet të eliminohet, vlerësoi muajin e kaluar shefi i ushtrisë amerikane, admirali Mike Mullen).

Në shkurt 1988, Gorbachov më në fund u dorëzua. Por ai e ngushëlloi vetën me besimin, se vakuumi, i krijuar pas tërheqjes sovjetike, nuk do të plotësohet nga armiku kryesor i Moskës.

Amerikanët nuk do të dërgojnë forca të armatosura, nëse ne largohemi nga Afganistani, u pat thënë Gorbachov, atëbotë, kolegëve të tij.

(Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›