E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për bashkëpunim me rusët

Newsweek: Në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë po shohim një fillim të ri. Çfarë nuk ka rrjedhë si duhet në të kaluarën dhe kush është fajtor?

Clinton: Nuk dëshiroj të kthehem në të kaluarën dhe nuk dëshiroj të kërkoj fajtorë. Mendoj se kjo vetëm do të na dërgonte në një shteg pa rrugëdalje. Ne edhe në të ardhmen do të kemi çështje, për të cilat do të kemi qëndrime të ndryshme, por duhet të ketë edhe fusha, në të cilat mund të arrijmë marrëveshje. Për shembull, administrata e kaluar nuk ka mbështetur idenë, për nënshkrimin e marrëveshjes së re për kontrollin e armatimit. Ne, për dallim, e mbështesim këtë ide.

Newsweek: Lart në agjendën e SHBA-së dhe të Rusisë rreshtohet Irani. A besoni se Rusia do të rreshtohet përkrahë jush, kur bëhet fjalë për sanksione kundër Teheranit?

Clinton: Kemi një pajtim të qartë, të cilin unë dhe ministri Lavrov e kemi nënvizuar edhe me shkrim, pas samitit të G6 në Gjenevë. Përveç kësaj, mbështetemi edhe në takimin mes presidentëve tonë dhe takimit që pata unë me presidentin Medvedev. Ne u pajtuam se kur bëhet fjalë për Iranin, e preferojmë shtegun diplomatik. Por nëse nuk arrijmë sukses me këtë qasje, ne do të iniciojmë edhe hapa të tjerë. Kjo është situata në të cilën jemi aktualisht.

Newsweek: Çfarë do të ndodhë nëse vjen momenti, kur do të kërkohen sanksione më të ashpra kundër Iranit, ndërsa Rusia do të refuzonte bashkëpunimin? A do të ndërmerrte SHBA-ja masa të sigurisë, pa përkrahjen e Rusisë?

Clinton: Nuk dëshiroj të përgjigjem në pyetje hipotetike. Ende nuk kemi arritur në këtë pikë. Kemi pasur tani negociata mjaft konstruktive. Ne pajtohemi me kolegët tanë rusë, se Irani duhet të lejojë qasjen e inspektorëve ndërkombëtarë.

Newsweek: Rusia insiston në të drejtën e vet që ti shesë Iranit raketa S300. A i keni bindur rusët që të heqin dorë nga ky synim?

Clinton: Rusët ende nuk e kanë bërë këtë, pra ende nuk ja kanë shitur raketat Iranit.
Newsweek: Por a mbetet kjo ende një çështje e hapur?

Clinton: Jo, është kjo një temë, për të cilën natyrisht se kemi biseduar dhe të cilën do ta shpalosim sërish. Deri me tani Irani nuk është furnizuar me raketa të këtilla dhe ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të mirë.

Newsweek: Si qëndron puna me mburojën e përbashkët të SHBA-së dhe Rusisë? A ekziston ndonjë ofertë konkrete?

Clinton: Sa i përket mburojës, ne jemi tejet të hapur për bashkëpunim me rusët. Ne besojmë se mburoja e përbashkët do të ishte racionale për dy vendet tona. Është interesi ynë që të bashkëpunojmë dhe besoj se jemi në rrugë të mirë, që nga momenti kur presidenti Obama ndryshoi planet për stacionimin e mburojës në Europë. I kemi dëshmuar Rusisë se e kemi seriozisht kur bëhet fjalë për bashkëpunimin mes nesh.

Newsweek: Si do të reagojë SHBA-ja, nëse Vladimir Putini pas tri viteve, zgjidhet sërish president i Rusisë?

Clinton: Se kush do ta qeverisë Rusinë është çështje e rusëve. Nuk do të komentoj se kënd duhet ta zgjedhin rusët për president të tyre. Ata për këtë duhet të vendosin vetë.

Newsweek: Për çka, sipas mendimit tuaj, është nderuar Obama me çmimin Nobel për paqe?

Clinton: Vetë presidenti ka thënë se ka qenë i befasuar. Por gjithashtu ka thënë se është kjo një nxitje për të vepruar. Ne duhet të punojmë, për të përmbushur shpresat e të gjithë njerëzve në botë. Këtë po tenton ta bëjë presidenti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›