Greqi, kapen të sëmurë dy të arratisurit nga komisariati
Policia greke ka prangosur dy shqiptarët e arratisur nga komisariati i Rodosit dy javë më parë. Rreth orës 09:10 të mëngjesit të djeshëm, policia hyri në shtëpinë e një emigranti shqiptar, që strehonte dy të arratisurit në dy ditët e fundit. Aty ka gjetur Berti Tabakun dhe Nderim Dishën, të cilët akuzohen për grabitje me armë. Ata u arrestuan bashkë me emigrantin shqiptar.
Sipas burimeve lokale, dy emigrantët shqiptarë u kapën në zonën malore Lardhu të ishullit. Nga policia e zonës u mësua se të arratisurit nuk bënë rezistencë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ata iu dorëzuan forcave të rendit që i kishin rrethuar sapo agjentët u bënë thirrje të mos i rezistonin arrestimit. Të njëjtat burime thanë se dy të arrestuarit u dërguan në spitalin rajonal të Rodosit, ku po ekzaminohen, pasi shfaqen shenja anemie dhe ftohjeje për shkak të kushteve të këqija të jetesës gjatë këtyre ditëve, që ndodheshin në arrati. Shqiptarët, në vazhdim do t’i nënshtrohen një seance pyetjesh përpara hetuesve, ku pritet të sqarojnë rrethanat e arratisjes së tyre nga burgu. Pas kësaj dhe daljes në Gjykatën e Rodosit, e cila do t’u shtojë akuzave ndaj tyre edhe krimin e arratisjes, ata do të dërgohen sërish në burgun e Sirosit, për të përfunduar dënimin e dhënë nga drejtësia për një seri vjedhjesh dhe grabitjesh me armë. Gjithashtu, ata do të akuzohen edhe për arratisje nga komisariati. Vetëm pak ditë më parë, policisë së Rodosit i dështoi një tjetër operacion, pasi ishte marrë informacion se dy shqiptarët fshiheshin në një stan.
Berti Tabaku dhe Nderim Disha janë larguar nga burgu në Rodos pikërisht më 1 shkurt. Ngjarja ndodhi në mesnatë, kur 22-vjeçari Tabaku dhe 20-vjeçari Disha, kanë arritur të largohen nga godina e Departamentit të Policisë në Rodos, ku po qëndronin pas procesit gjyqësor. Gjatë kohës që po mbaheshin në dhomat e paraburgimit, po gjykoheshin në Gjykatën e Apelit për rreth 30 vjedhje me dhunë, të ndodhura në ishullin e Rodosit. Ndërkohë, pas arratisjes së shqiptarëve, drejtësia greke ka vepruar menjëherë, duke pezulluar nga detyra shefin e të paraburgosurve në Departamentin e Policisë në Rodosit.
Sipas të dhënave, dy të kërkuarit, të moshës 22 dhe 20 vjeç, kanë “mashtruar” personelin e paraburgimit, duke kërkuar që të shkojnë në banjë, pasi kishin nevoja emergjente. Me vete, mendohet se dy shqiptarët kishin mjete të mprehta në dhomat e paraburgimit, me të cilat duhet të sharronin hekurat. Pasi kanë shkuar në banjë, kanë nxjerrë sharrat e hekurit dhe kanë vazhduar punën. Me shpejtësi të plotë dhe pa u vënë re nga personeli i policisë, ata kanë sharruar pjesën e hekurave të banjës dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin e kanë parë veten jashtë godinës dykatëshe të Policisë së Rodosit.
#