E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, kapet shqiptari me 11 kg heroinë

 

SELANIK - Një emigrant shqiptar u arrestua dje nga policia greke me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të 11 kilogramëve heroinë. Arrestimi mësohet se është bërë në kuadër të një aksioni antidrogë, i cili bashkë me shqiptarin ka vendosur në pranga edhe një shtetas grek, por emrat e tyre, për arsye hetimi, nuk bëhen të ditur. Mediat greke shkruanin dje duke iu referuar policisë, se shqiptari i arrestuar është një 25-vjeçar i cili ka bashkëpunuar në trafikun e narkotikëve me të arrestuarin nga Greqia. Policia konfirmoi se sasia e drogës, rreth 11 kilogramë, u gjet në makinën e shqiptarit. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes mësohet se lënda narkotike ishte destinuar për shpërndarje në tregun vendas. Agjentët e antidrogës i realizuan arrestimet në lagjen Analipsi të Selanikut, ku të dyshuarit kryenin aktivitetin e tyre. Gjatë deklarimeve të tij në polici, shqiptari mësohet se ka pohuar se sasinë e heroinës e kishte siguruar nga bashkëpunëtori i tij grek dhe ai do të merrej me shpërndarjen e saj. Nëse hetimet e policisë provojnë këtë fakt, atëherë shtetasi grek rezulton të ketë qenë furnitori ndërsa shqiptari ka pasur rolin e shpërndarësit të lëndës narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›