E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, rrugorët aksion për makinat e vjedhura në BE

 

TIRANE - Policia rrugore e Tiranës ka vazhduar edhe dje aksionin e bllokimit të makinave të vjedhura dhe me xhama të errët. Operacioni ka nisur mëngjesin e djeshëm dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim të javës. Kontrollet në kryeqytet janë në vazhdim të operacionit të përbashkët të disa strukturave të veçanta të policisë shqiptare, për bllokimin e makinave të vjedhura që ka nisur fillimisht në pikat e kalimit kufitar për të zbuluar formën e mashtrimit të trafikimit të makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira, mashtrimit me siguracione, etj. Vetëm disa ditë më parë, strukturat e policisë në të gjithë vendin bllokuan 47 automjete, të cilat pas verifikimeve rezultuan të vjedhura. Burime nga policia bënë të ditur se përveç verifikimeve të makinave, të cilat dyshohet se janë të trafikuara nga jashtë, policia ka kaluar në komision edhe dhjetëra makina me xhama të errët. Operacioni është fokusuar në kontrollin e autostradës e rrugëve në zonat më të ndjeshme të kryeqytetit, si dhe në kontrollin e tregjeve të makinave të përdorura. Koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij operacioni po kryhet nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit. Pas bllokimit të automjeteve, Interpol-Tirana, në bashkëpunim me zyrat e Interpolit në vendet e BE-së, do të verifikojë edhe vendet nga ku dyshohet se janë vjedhur këto makina dhe janë trafikuar për në Shqipëri. Të njëjtat burime bënë të ditur se automjetet që dyshohen të vjedhura, kryesisht janë trafikuar në Shqipëri nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.                                  e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›