E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, si do të mësojnë për dosjen për dëmshpërblim



Laureta Rryçi

Ndryshon procedura e marrjes së informacionit mbi dosjen për ish-të përndjekurit që kanë aplikuar për dëmshpërblim. Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Drejtësisë zhvilloi ceremoninë e dixhitalizimit të arkivit ku janë hedhur dosjet e ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim financiar. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaroi se kjo risi do të shmangë burokracitë dhe do të rritë më tej transparencën e procesit të shqyrtimit të dosjeve. Deri dje, të gjithë ish-të përndjekurit që i kanë dosjet ende në fazën e shqyrtimit, prisnin me orë me radhë për të mësuar informacionet më të fundit nga grupi i specialistëve të këtij dikasteri.
Ndryshimi
Para se kjo zyrë të bëhej dixhitale, kanë qenë persona të caktuar nga Ministria e Drejtësisë, të cilët u përgjigjeshin të interesuarve lidhur me ecurinë e dosjes së tyre, mangësitë apo jo të saj dhe çfarë shtesash duhej të bënte në të. Personi ka mundësi, përmes kërkimit në kompjuter, ta gjejë vetë informacionin për të cilin është i interesuar. Tashmë, me funksionimin e kësaj risie në zyrat ku shqyrtohen dokumentacionet e kërkuesve për dëmshpërblim si të përndjekur, vetë aplikuesit nuk do të kërkojnë informacion nga një punonjës i kësaj zyre, por do të hyjnë vetë në kompjuterët e vënë në dispozicion. Përdorimi
Për të hyrë në arkivin ku janë të detajuara zhvillimet për një dosje, aplikuesi duhet të ketë numrin e dosjes dhe aty do të gjejë të detajuara dhe me data ecurinë e dosjes së tij, përkatësisht në çfarë faze është dhe çfarë dokumentacioni i nevojitet për ta plotësuar. Dixhitalizimi do t’i ndihmojë aplikuesit për dëmshpërblim, të evitojnë burokracitë në zyra dhe do të rrisë transparencën në komunikim. Nëpërmjet internetit, ish-të përndjekurit do ta kenë më të lehtë të mësojnë mbi dokumentacionet që u mungojnë. Në këtë mënyrë do ta kenë më të lehtë komunikimin me grupin e specialistëve në mënyrë që procesi i shqyrtimit të mos ngadalësohet. Arkiva elektronike ishte një tentativë e provuar kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë, por për shkak të fluksit të dosjeve sistemi nuk arriti dot të servirte informacionin e duhur. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan se tani sistemi është disa herë më i sofistikuar.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›