E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, Gramoz Selmani u mbrojt nga Policia për të dëshmuar kundër bandës



Laureta Rryçi

Në seancën e radhës ndaj bandës së Lushnjës, dy zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë zbardhur për herë të parë se Gramoz Selmani arriti të vinte në Shqipëri falë ndihmës së policisë. I larguar në mënyrë ilegale duket se vlera e dëshmisë së Selmanit ka qenë arsyeja që ai ka gjetur mbështetjen e Policisë së Shtetit. Gramoz Selmani, një nga dëshmitarët kyç te banda e Lushnjës, është kthyer në përplasjen e radhës mes mbrojtjes dhe akuzës. Për të sqaruar përfundimisht pozicionin e këtij dëshmitari, që sipas mbrojtjes duhej të ishte në pranga për gjashtë vrasje, u pyetën nga krimet e rënda dy oficerët e Policisë Gjyqësore, Bujar Hoxha dhe Zigur Bixha.
Sqarimi
Sipas autoriteteve të Drejtësisë shqiptare, janë këta që të parët ranë në gjurmët e Gramoz Selmanit, duke grumbulluar të dhëna nga familjarët pas vitit 2005, kur rinisën hetimet. Dy dëshmitarët u pyetën të thirrur nga mbrojtësi i të pandehurve Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, emrat e të cilëve janë lakuar në disa vrasje nga goja e Gramoz Selmanit. Vladimir Meçi dhe asistenti i tij u pyetën për mënyrën se si ranë në dijeni për Gramoz Selmanin, kush i inicioi hetimet dhe kush urdhëroi marrjen në pyetje në Greqi pranë Ambasadës sonë. Bujar Hoxha tha dje se ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Krimeve të Rënda dhe në vitin 2005 është marrë me hetimet për bandën e Lushnjës. “Për bandën e Lushnjës ne kemi filluar hetimet në bazë të provave të ardhura për dosjet e pezulluara. Ne u vumë në lëvizje nga njerëz që kishin dijeni. Për krimet e kësaj bande janë vënë në lëvizje disa struktura, përfshi edhe Krimet e Rënda”, - tha Bujar Hoxha.
Dëshmia
Oficeri i Policisë Gjyqësore u pyet nga avokati nëse kishte marrë urdhër nga eprorët për ta goditur këtë bandë. Por ai tha se kishin një detyrë dhe zbatonin ligjin. Në këtë mënyrë nuk kishin pse të merrnin urdhra nga lart. Hoxha sqaroi më tej se për të gjetur Gramoz Selmanin, dëshmitarin kyç, ishin interesuar te familjarët. “Ne u interesuam, por ka qenë vetë Gramoz Selmani ai që ka telefonuar dhe ka kërkuar të rrëfejë gjithë krimet e kësaj bande. Ai na mori dhe tha se nuk mund të vinte në Shqipëri për t’u pyetur pasi e vrisnin dhe kërkonte mbrojtje, pasi familja e tij ishte e rrezikuar. E kemi pyetur në Ambasadën tonë në Greqi, ashtu si kemi bërë edhe me vëllezërit e Tur Dajës”, - tha dëshmitari Hoxha. Ndërsa shtoi se nuk kishte dijeni që Gramoz Selmani të figuronte person me procedim penal të hapur. Të njëjtat fakte pohoi edhe dëshmitari tjetër, oficer i Policisë Gjyqësore pranë Krimeve të Rënda në qarkun e Fierit, Zigur Bixha.

Krimi
Ekzekutimi i peshkatari, arrestohen pesë të dyshuar
ELBASAN - Zbardhet vrasja e peshkatarit Dylaver Peqini, ngjarje e ndodhur më 21 prill të këtij viti. Hetimet e bëra nga Policia e Elbasanit kanë çuar në pranga pesë persona, tre prej të cilëve janë të mitur. Policia tha se ka qenë gjetja e një gëzhoje dhe krahasimi i saj ka bërë që të zbardhet ngjarja që deri tani mendohej të ishte aksidentale. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se ka përfunduar operacioni i koduar “Peshkatari”, gjatë të cilit është bërë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të vrasjes së ndodhur në datën 21 prill 2010, në fshatin Byshek të Krastës. Në këtë vend është qëlluar me armë zjarri automatik Dylaver Peqini, 50 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Beqir Dardha”, Elbasan. Policia tha se autorët vrasjes janë Kozma Beti, 20 vjeç, lindur në fshatin Lisnai, Peqin; A. Xh., 16 vjeç, lindur në fshatin Qerret; Z. H., 15 vjeç, lindur në fshatin Griqan; Ariston Jolla, 25 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Emin Matraxhiu” dhe G. E., 14 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Emin Matraxhiu”. Trupi i 50-vjeçarit Dilaver Peqini është gjetur disa ditë më parë. Fillimisht është menduar se ishte një ngjarje aksidentale, duke qenë se ai kishte dalë për të peshkuar. Por, ekzaminimet e bëra nga ekspertët mjekoligjorë kanë nxjerrë në dritë faktin se ai ishte vrarë. Gjatë analizave ata kanë gjetur një plumb në trupin e 50-vjeçarit, duke rrëzuar të gjitha hetimet që ishin bërë më parë. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka marrë fillimisht dëshmitë e familjarëve të viktimës. Dilaver Peqini u gjet i pajetë në ujërat e lumit Shkumbin. Familjarët dhe policia kishin dy ditë që bënin kërkime, pasi nuk kishin asnjë shenjë nga ai. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhoja të qitura nga arma e krimit. Autorët e kësaj ngjarjeje kanë konsumuar elementet e veprës penale të “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”, si dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe të zjarrit”.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›