“Rruga pa sukses”, skema piramidale në Tiranë, pranga dy “biznesmenëve” kosovarëve
TIRANË - Arrestohen dy kosovarë për krijimin e një firme piramidale. Policia e Shtetit tha dje se në pranga kanë rënë dy persona, të cilët janë akuzuar për mashtrime në shuma të mëdha. Ka qenë operacioni i koduar "Rruga pa sukses" që ka çuar në pranga Valon Kyçykun, 35 vjeç, lindur dhe banues në Prizren dhe Burim Haxhiollin, 31 vjeç, lindur dhe banues në Suharekë, Kosovë. Ndaj këtyre personave, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohen për veprën penale të “mashtrimit në dëm të disa personave, më shumë se një herë”. Ndalimi është bërë pas një hetimi disamujor të kryer nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë. Uniformat blu kanë arritur në përfundimin se të arrestuarit i mashtronin qytetarët shqiptarë duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Kyçyku dhe Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Aktivitetin e paligjshëm këta persona e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Dy kosovarët janë arrestuar para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Në momentin e arrestimit, këtyre personave u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumentet që i implikojnë në këtë veprimtari mashtruese; 3 automjete që kishin blerë me këto para, si dhe 10 aparate celularë. Policia është duke bërë hetime të tjera, në bashkëpunim dhe me autoritet policore të qarqeve të vendeve fqinje ndaj një numri të konsiderueshëm shqiptarësh, të përfshirë në këtë skemë mashtruese. “Në sajë të këtij operacioni të suksesshëm u bë i mundur parandalimi i mashtrimeve të tjera në dëm të qytetarëve shqiptarë. Policia e Shtetit i ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji. Për çdo rast të kontaktojnë me strukturat e policisë”, - thanë burime zyrtare nga uniformat blu.
7 Maj 2010