E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, miratohet plani i masave antikrizë

ATHINE- Parlamenti grek miratoi me 155 vota pro planin afatmesëm të qeverisë. 138 deputetë votuan kundër, ndërsa 5 prej tyre vetëm sa deklaruan praninë në sallë pa dhënë asnjë votë.
Në këtë mënyrë i hapet rruga lëvrimit të këstit të pestë të ndihmës prej 12 miliardë Eurosh për Greqinë, nga BE dhe FMN.

Ndër 155 deputete që votuan pro, ishte edhe deputetja e opozitës, Elsa Papadimitriou, ndërsa një votë kundër u ngrit nga deputeti i PASOK, Panajotis Kurumpli.

Të dy këta deputetë, të cilët dolën kundër qëndrimit të partisë, u larguan nga grupet përkatëse parlamentare.

Mësohet se me të marrë miratimin Plani Afatmesëm, Euroja nëpër bursat e Evropës shënoi rritje të menjëhershme.

Plani i miratuar sot në parlamentin grek parashikon 28 milardë Euro kursime, të cilat do të sigurohen nga rritja e taksave dhe shkurtimi i pagave dhe pensioneve. Në plan përfshihet gjithashtu edhe projekti për privatizimin e pasurive shtetërore me vlerë 50 miliardë Euro.

Para votimit, kryeministri Papandreu dhe ministri i financave Venizelos bënë thirrje për miratimin e planit afatmesëm të masave, si rruga e vetme për shpëtimin e Greqisë.

Ndërkohë jashtë Parlamentit gjatë gjithë ditës edhe sot edhe dje, pati përleshje mes protestuesve dhe policisë. 9 persona u lënduan dhe u dërguan në spital, ndërkohë që pati edhe policë të lënduar.

Tani mbetet të shohim cfarë rrugë do marrë protesta e “Qytetarëve të indinjuar”, pasi qëllimi final nuk u arrit.
I sigurt është fakti që në fillim të korrikut Greqia do të marrë 12 miliardë Eurot e ndihmës, njëherësh do të nisë edhe zbatimin e masave shtrënguese ekonomike për vendin, duke kaluar kështu një nga sfidat më të rëndësishme të historisë së saj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›