E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, në parlament lista e politikanëve që nxorrën paratë jashtë

ATHINE - Zmadhohen përmasat e skandalit të largimit të shumave të mëdha të parave nga Greqia. 

Reagim zinxhir pas lajmit se një deputet, në pikun e krizës ekonomike greke, ka transferuar jashtë 1 milion euro. Transferta ka ka ndodhur në maj të vitit 2011, kur Greqia ishte përfshirë nga ankthi i krizës, kur bankat greke nuk jepnin më kredi dhe kur falimentimi i vendit ishte bërë kryefjala e cdo lajmi. Deputeti grek, emri i të cilit nuk bëhet i ditur largoi nga vendi 1 milionë euro për t’i depozituar jashtë, me qëllim sigurimin e tyre.

Rasti po hetohet nga antikrimi ekonomik, por nga ana tjetër ngjalli mjaft debate. Një numër deputetësh të Parlamentit grek i janë drejtuar zyrtarisht kreut të Parlamentit, me kërkesën që të publikojë emrin e deputetit.

Ndërkohë nga hetimet e Komitetit të Auditimit rezulton se janë disa politikanë, të cilët kanë kryer transferta të konsiderueshme parash jashtë vendit. Komiteti i Auditimit do të dorëzojë në parlamentin grek, listën e politikanëve apo të afërmve të tyre, që nxorrën jashtë vendit shuma më të mëdha sesa 100 000 euro dhe pasi emrat të publikohen, do kërkohen shpjegime prej tyre. Ministri i Financave, bëri të ditur se ministria ka identifikuar ata individë që kanë bërë dërgesa prej mbi 100 000 euro jashtë Greqisë.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit grek Filipos Petsalnikos ka kontaktuar me kryetarin e Autoritetit për Luftën kundër Pastrimit të Parave, P. Nikoloudis, i cili bëri ankesën për deputetin që ka larguar nga vendi 1 mln Euro.

Zoti Nikoloudis raportoi se nuk bëhet fjalë për një vepër penale. Megjithatë, kreu i Parlamentit theksoi se kjo cështje ka anën e ligjshmërisë, por ka edhe anën e etikës. "Ne duhet të jemi absolutisht të qëndrueshëm në atë që i themi popullit grek", deklaroi ai. Për këtë arsye, F. Petsalnikos kërkoi nga kreu i Autoritetit të Luftës kundër pastrimit të parave, që në listat e depozituesve grekë në bankat e huaja, të përfshihet edhe emri i transferuesit të 1 milion eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›