E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Elenit, “arrest me burg” për bashkëshortin, urdhëroi krimin

TIRANE- Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për 38-vjeçarin Ilia Basho, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho, ne 2 shkurt.

Gjyqtari Altin Shkurti e ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e Ilia Bashos, duke i konsideruar të vlefshme të gjitha provat e paraqitura nga prokuroria, si tabulatet telefonike, dëshmitë kontradiktore të Bashos,etj. Këto prova iu paraqitën gjykatës nga ana e prokurorit Etien Kapo.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të kompleksitetit të ngjarjes.

Ndërkohë gjatë seancës avokati Lazer Sokoli kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij pasi sipas tij, prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon atë në krim.
Gjatë seancës mësohet se Ilia Basho është ngashëryer para gjykatës, duke mohuar pjesëmarrjen në krim.

Ngjarja
33-vjeçarja Eleni Basho u ekzekutua me armë zjarri pak metra larg banesës së saj në 2 Shkurt 2012 në Shkozë, Tiranë. Pas hetimeve të policisë së kryeqytetit, pak ditë më parë u ndalua bashkëshorti i viktimës Ilia Thanas Basho. Sipas policisë, provat dhe faktet e grumbulluara vërtetojnë implikimin e këtij shtetasi, si organizator i vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Eleni Bashos.

Eleni zbuloi lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit
Ilia Basho është dyshuar që në krye të herës për ekzekutimin e nënës së dy fëmijëve vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre në Shkozë të Tiranës, por ai kishte dhënë në polici një alibi të fortë sikur ndodhej në një farmaci shumë larg shtëpisë në momentin kur është vrarë gruaja e tij.
Por, policia ka mundur të sigurojë provat për ta dërguar prapa hekurave. Motivi i vrasjes së 2 shkurtit dyshohet të ketë ardhur për shkak të zënkave dhe konflikteve të forta në çift, që kishin lindur si pasojë e një lidhje jashtëmartesore që kishte pasur Ilia Basho për afro një vit. Mesa duket Eleni nuk e ka pranuar një fakt të tillë, e për këtë shkak përplasjet mes tyre ishin bërë të vazhdueshme, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e jetesës së përbashkët. Ilia Basho mendohet se ka pasur një lidhje dashurie jashtëmartesore me Yllka Shehaj me profesion dentiste dhe e njohur e familjes.

Dëshmia e Yllka Shehaj
Yllka Shehaj në një intervistë për News24 rrëfeu të vërtetën e saj, duke mohuar lidhjen me të dyshuarin Ilia Basho.

“Është e vërtetë që e njihja zonjën Eleni Basho, kam pasur marrëdhënie pune me të. E vërteta ime është se gjithçka që është thënë për mua në media nuk është e vërtetë dhe ka cënuar personalitetin tim, kjo më ka shokuar. Marrëdhëniet që kisha me familjen Basho ishin korrekte, familjare dhe pune” - ka thënë Yllka Shehaj.

E pyetur për marrëdhënien personale të saj me Eleni Bashon, Shehaj është përgjigjur se kishin marrëdhënie korrekte pune dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt me të.Për marrëdhënien e saj më Ilia Bashon, Yllka Shehaj ka thënë se ka pasur marrëdhënie miqësie dhe pune e asgjë tjetër.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rrëfehet Yllka Shehaj: Marrëdhënia ime me Ilia Bashon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›