Greqi, një hap larg zgjedhjeve, përpjekja e fundit për Qeverinë

Presidenti grek Karolos Papoulias po përgatitet të zhvillojë bisedime me liderët e partive në përpjekje për të formuar një qeveri teknike.
Lëvizja e kreut të shtetit vjen pasi socialistët u bënë partia e tretë që dështoi në formimin e një koalicioni qeverisës.
Mbrëmë, lideri i PASOK-ut socialist, Evangelos Venizelos, dështoi në inisiativën për të formuar qeverinë e koalicionit, pasi ishte refuzuar nga lideri radikal i majtë, Aleksis Tsipras, i cili ka premtuar se do ta hedhë poshtë ndihmën financiare për Greqinë, në shumë prej 130 miliardë eurosh.
Nëse bisedimet e sotme dështojnë, presidenti Papulias do të jetë i detyruar të caktojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Perspektiva e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, pas votimeve të së dielës, ka ndikuar në rënien e aksioneve në Greqi, ndërsa monedha euro është në nivelin më të ulët prej muajit janar.
Zgjedhjet e reja me shumë shanse mund të mbahen në mes të qershorit.
Të majtët radikalë, që dëshirojnë të mos e pranojnë ndihmën prej 130 miliardë eurosh, po udhëheqin në shumicën e hulumtimeve të opionionit.