E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, progres në negociatat për reduktimin e borxhit

Bisedimet me Athinën për reduktimin e borxhit grek po vazhdojnë sot dhe deri tani janë në rrugë të mbarë, bëri të ditur Instituti Ndërkombëtar i Financave (IIF), që po zhvillon negociatat në emër të bankave të huaja.
Drejtori i IIF Charles Dallara dhe Jean Lemierre i BNP Paribas "kishin bisedime konstruktive me kryeministrin Lukas Papadimos dhe ministrin e financave Evangelos Venizelos", thuhet në një komunikatë të publikuar në Uashington nga Instituti.
"Po realizojmë progres dhe bisedimet vazhdojnë", thuhet në të njëjtën komunikatë.
Më herët, kryeministri grek, Papadimos, kishte deklaruar se negociatat ndërmjet Greqisë dhe kreditorëve privatë po zhvillohen në një "klimë shumë pozitive".
Në një intervistë, Papadimos ka shprehur optimizmin e tij, duke theksuar se pret që negociatat për reduktimin e borxhit të kenë një përfundim të suksesshëm. Në përgjigje të komentit të gazetarit mbi parandjenjën në rritje në Europë se një falimentim i Greqisë është i pashmangshëm, Papadimos shprehu opinionin se kredia e re do të miratohet dhe se "faktet tregojnë se partnerët europianë kanë marrë masa të shkëlqyera për të ndihmuar Greqinë që të përballojë problemet e veta".
Pas takimit që pati me tre liderët politikë të partive që mbështesin qeverinë e tij, Papadhimos do të takojë pasditë vonë drejtuesit e Trojkës.

Kryeministri ka shprehur kënaqësinë e tij për takimin që kishte me tre liderët partiakë, Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis, duke theksuar se ata konfirmuan mbështetjen ndaj qeverisë në përmbushjen e misionit të saj.
"Takimi me liderët politikë ishte i rëndësishëm dhe thelbësor", deklaroi Lukas Papadimos dhe shtoi se "diskutuam një gamë të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale, posaçërisht negociatat me trojkën dhe pjesëmarrja e investitorëve privatë në reduktimin e borxhit. Biseda u zhvillua në klimë shumë pozitive dhe liderët politikë konfirmuan mbështetjen e plotë ndaj qeverisë, për përmbushjen e misionit të saj".
Partitë që mbështesim qeverinë duhet të respektojmë angazhimet që kemi ndërmarrë dhe të flasim me sinqeritet, është shprehur kryetari i PASOK-ut, Jorgos Papandreu.
Burime nga Demokracia e Re, thanë se gjatë takimit u bë një vlerësim tërësor për çështjen e reduktimit të borxhit. Gjithashtu u diskutuan edhe çështje që lidhen me qeverinë, ndaj së cilës u konfirmua mbështetja, por për çështjen e zvogëlimit të kostos së pagave në sektorin privat, DR argumenton se para se të merret një vendim duhet të zhvillohen negociata me partnerët socialë.
"Kishim një bashkëbisedim të mirë, në një klimë të shkëlqyer", deklaroi kryetari i LAOS, Jorgos Karaxhaferis, duke dalë nga selia e Kryeministrisë.
"Vendi do të shkojë në negociatat me një qëndrim të përbashkët të partive që mbështesin qeverinë", deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Pandelis Kapsis, duke iu referuar takimit. Ai vuri në dukje se pati konvergim pikëpamjesh, por shtoi se do të bëhen edhe konsultime të tjera, qoftë telefonike, qoftë në takime të drejtëpërdrejta të kryeministrit me liderët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›