E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Statusi në BE, sfida kryesore në 100-vjetorin e Pavarësisë

TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se shoqëria shqiptare ka nevojë për një reflektim pozitiv ndaj forcimit të dialogut konstruktiv politik, ecje në drejtim të forcimit të institucioneve kushtetuese dhe plotësimit konsensual të të gjitha detyrimeve që klasa politike ka ndaj qytetarëve dhe kritereve të anëtarësimit në BE.

Gjatë fjalës së mbajtur në pritjen me Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë, me rastin e Vitit të Ri 2012, kryetari i shtetit deklaroi se zhvillimet pozitive të muajve të fundit në drejtim të dialogut politik janë shenja pozitive.

“Në këtë fazë të dialogut politik inkurajimi im mbetet shndërrimi i kësaj klime në normalitet demokratik dhe me rezultate konkrete në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe interesave madhore të vendit", - u shpreh Presidenti.

Ndër të tjera kryetari i shtetit theksoi se viti 2012 mbart një specifikë të veçantë për Shqipërinë, pasi përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sipas tij, sfida jonë kryesore është nderimi i merituar i këtij viti jubilar përmes marrjes së statutit të vendit kandidat në BE dhe forcimi i demokracisë funksionale, si një garanci për stabilitet demokratik afatgjatë.

Më tej Presidenti Topi shtoi se jubileu historik i 100-vjetorit është një rast i mirë për të gjithë popullin shqiptar, për institucionet dhe aktorët e tjerë publikë, për të reflektuar mbi gabimet e ardhura nga mungesa e përvojës apo mbipushteti i partive politike në raport me shoqërinë dhe për të dhënë një shembull inkurajues përgjegjshmërie e reformash demokratike, si detyrim madhor ndaj qytetarëve, brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›