Greqi, protesta në natën e Krishtlindjeve

Vala e re e dhunës së demonstruesve grekë, të cilët që prej tre javësh protestojnë për shkak të vrasjes së adoleshentit Aleksandros Grigoropulos nga ana e policisë, ka bërë që të dëmtohen disa makina, filiale të bankave dhe zyra të ndërtesave qeveritare. Sulmet filluan që natën e së mërkurës, pas orës 22:00, sipas kohës lokale, me djegien e një banke në rajonin Palio Faliro. Nuk ka informacione për viktima. Qindra të rinj grekë protestuan nëpër zonën kryesore tregtare të Athinës me kërkesë lirimin e personave të arrestuar gjatë trazirave në javët e kaluara. Sipas vlerësimeve të institucioneve vendase dhe mediave, trazirat në Greqi, të cilat shpërthyen pas vdekjes së 15-vjeçarit Grigoropulos, kanë shkaktuar deri më tani disa qindra milionë euro dëme. Protestat janë organizuar kryesisht nga grupet e majta, të cilët kishin edhe mbështetjen e opozitës së Papandreut, që kërkon dorëheqjen e qeverisë së Kostas Karamanlisit.