E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, tensionohet situata politike

Tensionet politike në Maqedoni janë rritur. Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski kërkon dorëheqjen e Presidentit, Branko Cervenkovski. Disa orë më vonë edhe Presidenti i vendit reagon në të njëjtën mënyrë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski. Partia VMRO -DPMNE, në një konferencë për shtyp ditën e enjte kërkoi dorëheqjen e Presidentit të Maqedonisë, Branko Cervenkovski. Sipas tyre, Presidenti e ka keqpërdorur postin që ka dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit me pjesëmarrjen e tij në disa takime me qytetarë, në Veles dhe Gostivar. "Branko Cervenkovski, duke shfrytëzuar postin që ka, realizon vizita partiake dhe kryen detyrime në dobi të partisë politike LSDM. Këtë ai e bën me fondet shtetërore", deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Biçikliski. Kjo parti thekson se edhe zyrtarisht Cervenkovski po kryen funksionin e kryetarit të LSDM-së. Pas këtyre deklaratave, menjëherë ka reaguar Presidenti i vendit, i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë. "Jemi të befasuar me nervozizmin dhe panikun që ekziston në radhët e partisë në pushtet, demonstruar edhe në konferencën e fundit për shtyp. Presidenti i Maqedonisë duke e kryer funksionin e tij, në pajtim me Kushtetutën, ka të drejtë dhe detyrim të komunikojë me qytetarët. Presidenti Cervenkovski gjatë vizitave të tij në komuna, është i gatshëm të takohet edhe më përfaqësues të pushtetit lokal dhe me përfaqësues të partive politike, pa dallime nëse janë në pozitë apo opozitë", thuhet në reagimin e Presidentit të Maqedonisë. Në komunikatë thuhet se Presidenti është i gatshëm të japë dorëheqjen nga funksioni që kryen, nëse në të njëjtëm kohë edhe kryeministri Nikolla Gruevski ta bëjë një gjë të tillë. Sipas komunikatës, Gruevski më shumë angazhohet për partinë politike VMRO -DPMNE sesa si kryetar i qeverisë për interesat e qytetarëve të Maqedonisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›