Greqi, protesta për lirimin e të arrestuarëve

Rikthehen protestat e dhunshme në rrugët e Athinës. Grupe anarkistësh hodhën bomba molotov dhe u përleshën me policinë greke në kryeqytetin Athinë, gjatë një marshimi përpara parlamentit, kur më shumë se 1 000 demonstrues protestuan përsëri për vrasjen e adoleshentit Aleks Grigoropulos. "Rreth 150 anarkistë u ndanë vecmas protestuesve të tjerë dhe hodhën gurë mbi policinë, e cila iu përgjigj me gaz lotsjellës. Më vonë ata hodhën bomba molotov ndaj Ministrisë së Mbrojtjes", deklaruan zyrtarë të policisë. Anarkistët i vunë flakën një pike shitje gazetash dhe një stacioni autobuzi dhe shkaktuan dëme në katër banka në qendër të qytetit. Policia greke ndoqi një grup të vogël të të rinjve nëpër rrugët e qytetit, duke ndaluar të paktën dy prej tyre. Protesta janë zhvilluar gjithashtu në jugperëndim të Greqisë, në portin e Patras, ku kanë dëmtuar tri ndërtesa gazetash, ndërtesën e Unionit të Gazetarëve dhe tri banka. Greqia është bërë dëshmitare e trazirave më të mëdha në këto dekadat e fundit, që lindën si pasojë e vrasjes nga ana e policisë të një të riu, si dhe problemeve ekonomike të vendit dhe skandaleve qeveritare.