Obama:SHBA-ja, në krizë të paprecedentë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka deklaruar se administrata e tij do të mbajë përgjegjësi të plotë për suksesin apo dështimin e paketës së ndihmës për ekonominë e vendit. Presidenti Obama është shprehur se të gjitha vendimet mbi mënyrën se si do të investohen 825 miliardë dollarët e paketës së re ekonomike, do të bëhen publike në një faqe të re interneti. Obama i dha këto garanci në fjalimin e tij të parë radiofonik dhe në YouTube, që kur mori zyrtarisht detyrën, të martën më 20-të janar. Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara gjenden në mes të një krize të paprecedentë dhe bëri thirrje për veprime të paprecedentë. "Ekonomia jonë mund të humbasë më shumë se 1 trilionë dollarë, që përkthehet se cdo familje mund të humbasë më shumë se 12-të mijë dollarë. Ne mund të humbasim potencialin e një gjenerate. Shumë të rinj amerikanë janë të detyruar të heqin dorë nga ëndrra e vazhdimit të kolegjit ose nga mundësia për t'u trajnuar për një punë që do t'i shërbente të ardhmes së tyre", u shpreh Barak Obama. Norma e papunësisë në SHBA gjatë muajit dhjetor arriti në 7.2 përqind, me 524 mijë vende të humbura pune. Vendet e humbura të punës gjatë vitit që lamë pas arritën në 2.6 milionë, shifra më e lartë që në kohën e Luftës së Dytë Botërore.