E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi/ "TA NEA": Papandreu mori diplomacinë për t'i zbardhur faqen vendit

Çështjet kryesore të politikës së jashtme të Greqisë, mosmarrëveshjet me Maqedoninë për emrin dhe mospajtimi grek me Turqinë për Qipron, janë shkaqet kryesore që e detyruan Jorgos Papandreun që krahas funksionit të kryeministrit të marrë edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, shkruan sot gazeta e njohur greke "Ta Nea".
"Qëllimi i Papandreut është që t'i zbardhë faqen Greqisë në planin ndërkombëtar dhe vendi mos të shihet më si "dele e zezë" në Evropë. Këtij qëllimi do t'i vijë në ndihmë edhe zëvendëskryeministri dhe shefi i mëparshëm i diplomacisë, Theodhoros Pangalos. Detyra e parë e Papandreut dhe e qeverisë së re do të jetë samiti i BE-së në dhjetor kur do të debatohet për perspektivat e Turqisë për anëtarësim në union", shkruan "Ta Nea".
Pritet që Papandreu ta kushtëzojë përfshirjen e Turqisë me lëshime nga ana e Ankarasë lidhur me Qipron dhe mospajtimet territoriale në detin Egje.
"Ta Nea" nuk komenton qëndrimin e qeverisë së re në Athinë lidhur me çështjen maqedonase.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›