E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA/ Obama: Afrimi Armeni-Turqi të jetë i shpejtë

Presidenti amerikan, Barack Obama u kërkoi turqve dhe armenëve të nxitojnë hapin në përpjekjet e tyre të afrimit që duhet të çojnë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Ankarasë dhe Erevanit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Gjatë një bisede telefonike të hënën, Obama i tha homologut të tij armen, Serge Sarkissian se Uashingtoni uronte që "dialogu me Ankaranë që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të përparojë pa kushte paraprake dhe në një afat të arsyeshëm", njoftoi Shtëpia e Bardhë në një komunikatë dje në mbrëmje.
Erevani dhe Ankaraja ranë dakord në fund të gushtit për dy protokolle që synojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe rihaphjen e kufirit të tyre të përbashkët. Këto tekste duhet të miratohen më tej nga parlamentet e dy vendeve.
"Presidenti Obama shprehu miratimin e tij të plotë për një proces që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve", vijoi presidenca amerikane, që shton se Obama përshëndeti rolin "kurajoz" të luajtur nga Sarkissian.
Që pas pavarësisë së Armenisë, ish-republikë sovjetike, në 1991 dy vendet ishin kundër lidhur me çështjen e masakrës së armenëve nga ushtria osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, që Erevani e cilëson si gjenocid, ndërsa Ankaraja e hedh kategorikisht poshtë.
Turqia e mbylli kufirin e saj me Armeninë në vitin 1993 në shenjë mbështetjeje ndaj Azerbajxhanit, në konflikt me Erevanin për kontrollin e rajonit të Nagorny Karabakhut, enklavë e populluar nga armenët në territor azerbajxhanas.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›