E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, sërish shqiptarët e arratisur qëllojnë mbi policinë. Vazhdon ndjekja

Edhe natën e kaluar policia greke ka qenë në ndjekje të 4 shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas. Operacion i gjerë është zhvilluar në zonën e Epirit.

Mësohet se rreth orës 2:00 pas mesnate, 4 shqiptarët e armatosur në një makinë rurale Navara, kanë ndeshur në një patrullë policie në postbllokun e Artës dhe menjëherë kanë hapur zjarr me kallashnikovë mbi policët, por fatmirësisht këtë herë nuk ka patur asnjë të lënduar.

Sipas të dhënave, dy personat që ishin ulur në ndenjëset e përparme thyen xhamat e makinës dhe hapën zjarr. Pas një breshërie të ashpër për disa sekonda, ata u larguan me shpejtësi

Makina e cila rezultonte e vjedhur në Agrinio, u gjet më pas e braktisur në shkollën e Filipiadas. Në këtë vend ata vodhën një makinë tjetër dhe janë drejtuar në fshatrat e Sulit, ku terreni është shumë i vështirë.

Kjo zonë është 20 minuta larg kufirit, gjë që përforcon frikën e policisë se ata mund të kalojnë në Shqipëri. Për këtë arsye janë njoftuar autoritetet shqiptare, të cilat kanë siguruar se do të bashkëpunojnë për kapjen e tyre.

Sipas disa burimeve, të armatosurit janë jashtë kontrollit dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen.

Operacioni policor për kapjen e shqiptarëve të arratisur është tashmë ndër lajmet kryesore të medias greke dhe ka ndjeshmëri të madhe në publik, për shkak të viktimave të shkaktuara prej tyre.

Mbrëmjen e 2 korrikut gjatë një shkëmbimi zjarri mes shqiptarëve dhe policisë, u vranë xhaxha e nip, Flamur dhe Edison Lika. 

Në kërkim të 4 shqiptarëve janë rreth 300 forca policie mes tyre edhe ato speciale, helikopterë me kamera termike dhe qen të policisë dhe sipas forcave të sigurisë, kapja e tyre është vetëm cështje kohe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›