E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel: Asnjë vend nuk rrezikon të dalë nga eurozona

“Asnjë vend nuk është i detyruar të dalë nga eurozona, pavarësisht se përballen me shumë probleme”. Kështu deklaroi sot për agjencinë gjermane të lajmeve, Kancelarja Angela Merkel. 

Merkel hodhi poshtë kështu pretendimet se problemet me të cilat përballen vendet që janë në zemër të krizës, ndoshta do t’i detyrojnë ato të dalin nga zona euro. "Jo! Unë nuk e shoh këtë rrezik. Gjithkush ka nevojë për një Evropë të përbashkët", siguroi Merkel. 

''Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por ka ende shumë probleme që duhen trajtuar", tha kancelarja gjermane, duke theksuar se zgjidhja e krizës së borxhit është një proces i gjatë, që përfshin një numër hapash dhe masash. 

Lidhur me faktin që në Gjermani në shtator do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, Merkel argumenton se vendimet rreth Evropës nuk preken nga ky zhvillim. 

Kancelarja theksoi se BE kishte të drejtë kur iu dha më shumë kohë vendeve me probleme financiare, të tilla si Greqia dhe Portugalia, për të reduktuar deficitet dhe borxhet e tyre. Ajo shtoi se vendet evropiane kanë nevojë për borxhe për të përmirësuar konkurrencën dhe për të nxitur një rritje të re e të qëndrueshme ekonomike si dhe punësimin. 

Merkel tha gjithashtu se shpreson të mbetet kancelare edhe në periudhën e ardhshme legjislative. “Do të doja të isha kancelare edhe gjatë mandatit të ardhshëm legjislativ, sepse shoh shumë sfida përpara nesh", theksoi kancelarja gjermane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›