E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’e ndjej krizën në muzikë, bëj teatër sepse më mbush”

TIRANE-Prej muajsh i mungon skenës muzikore dhe pikërisht tani kur të gjithë artistët vërsulen për të publikuar këngët e reja, me synim ‘kapjen’ e sa më shumë koncerteve, Rozana Radi vendos të vërë një shfaqje në teatër... Por nuk përfundon gjithçka këtu. Klipi i këngës në bashkëpunim me Danin pritet të publikohet së shpejti. E bashkë me të edhe projekti për një shfaqje të re. Le t’i zbulojmë bashkë të rejat e fundit nga jeta e Rozana Radit.
Pse vendose të largohesh nga muzika, për t’iu rikthyer teatrit?
S’kam vendosur t’i rikthehem teatrit. Unë gjithmonë kam qenë në teatër, që nga dhimbjet e lindjes së mamasë sime e deri në kohën që jam rritur.
Kur ka qenë hera e fundit që ke dhënë një shfaqje?
Para një viti. Kemi rivënë shfaqjen “Burri im me zero kilometër”, me Gentian Zenelajn dhe Julian Dedën. Ka qenë një shfaqje shume e mirë...
Pse kaq rrallë në teatër?
Kam munguar, jo se kam dashur, por sepse nuk ka pasur oferta për të punuar në teatër. Nuk është se i jam përkushtuar këngës, dhe kam lënë teatrin. Në të vërtetë gjithmonë kam lënë këngën për teatrin.
A lidhet ky vendim i yti me faktin që tregu muzikor sot është në krizë?
Nuk e kam ndjerë ndonjëherë krizën e tregut muzikor. Kam pasur gjithmonë punë, sa i takon koncerteve. Por duke qenë se teatri më mbush në të gjitha aspektet, i kam dhënë përparësi në krahasim me koncertet. Ndërsa festivalet janë tjetër gjë, kanë rëndësi tjetër. Tek unë nëse kënga do të zinte 30%, teatri zë 70%.
Dashuria për teatrin është ndikuar nga babai yt? E ka lënë si amanet rrugën tënde në aktrim?
Babi nuk ka dashur asnjëherë që unë dhe motra ime Andeta, të merremi me art, për arsye se është një profesion shumë i vështirë. Por duke qenë se jam fëmijë artistësh e jam rritur në një familje ku nuk ka munguar asnjëherë arti, muzika e dramaturgjia normalisht arti është bërë pjesë e kulturës sime. Kam punuar shumë për të qenë kjo që jam sot. Jo se ka dashur babi, por kam dashur vetë të jem në këtë fushë.
Deri dje je cilësuar si mbretëreshë e showbiz-it. Tani je tërhequr nga e gjitha kjo?
Nuk kam pasur për qëllim të bëj lajm, lajmet kanë ardhur vetvetiu. Në festivale kam pasur këngë me tema të forta, si për shembull mbrojtja e të drejtave të grave dhe kjo ka bërë lajm. Lajm dhe zhurmë të madhe mediatike ka bërë dhe kënga “Ti s’ke zemër”. Publiku e vlerësoi maksimalisht, por mesa duket këngëtarët nuk e panë të arsyeshme që kënga të renditej ndër të parat.
Nuk e kisha fjalën vetëm për këto lajme...
Ato të tjerat janë fryrë e janë bërë të mëdha kot... Artificialisht.
Do vazhdosh të marrësh pjesë në festivale?
Nuk e di nëse do marr pjesë në festival. Jam ende në mëdyshje. Por nëse do vendos të marr pjesë sivjet te “Kënga Magjike”, do të vij komplet ndryshe.
Çfarë do sjellësh këtë verë? Do të ketë këngë dhe videoklipe të reja?
Është kënga me Danin, videoklipi i së cilës nuk ka dalë akoma. Unë e kam stopuar muzikën për shkak të teatrit. Nëse do kem kohë të mjaftueshme për të realizuar një videoklip, do e sjell.
Rikthehesh me një duet me Ramadan Krasniqin, përse zgjodhe sërish Ramadanin?
Së pari më duhet të sqaroj se ndryshe nga bashkëpunimi i parë që kam pasur me Danin, kënga e re nuk është baladë, por këngë ritmike dhe doja të provoja diçka të tillë me një nga zërat më të bukur kosovarë. Së dyti kanë kaluar dy vjet nga bashkëpunimi im i parë me të, ndaj mendova për një rikthim. Por bëhet fjalë për një kthim ndryshe.
Ramadan Krasniqi njihet si këngëtar i muzikës popullore, ndërkohë kënga jote është ritmike? Nuk mendon se po rrezikon me një duet të tillë?
Kënga është ritmike, por ka edhe nota popullore. Zgjedhja e Danit nuk ishte e rastësishme, ai interpreton pjesën e notave popullore kurse unë mbaj peshën e pjesës moderne të këngës. Dhe secili vazhdojmë të jemi në karakterin e vet muzikor.
Vjen me Danin pas një suksesi të jashtëzakonshëm që pate te “Kënga magjike” me këngën ‘Ti s’ke zemër’. Por ‘Ti s’ke zemër’ është një këngë që ngjason me muzikën italiane, a nuk do të ishte më mirë që të identifikoheshe me këtë lloj rryme që të kanë dhënë suksesin e madh në muzikë?
Mua më njohin si një këngëtare me profil balade, por këngët e mia mund të ngjajnë edhe me këngë italiane ashtu siç mund të kenë vijë melodike të këngëve amerikane, spanjolle, etj. Janë stile që qarkullojnë në muzikën moderne ndërkombëtare e për këtë arsye edhe shqiptare. Unë kam bashkëpunuar me kompozitorin Adrian Hila, i cili është një nga kompozitorët që më njeh mirë si këngëtare, e njeh ngjyrën time vokale dhe potencialin. Pikërisht për këtë arsye falë bashkëpunimit me të kam kënduar balada që kanë hyrë në arkivin e artë të muzikës moderne shqiptare, por nga ana tjetër kam nevojë për një këngë me ritëm sepse sa bëj një baladë më akuzojnë që ia kam kushtuar dikujt. Ndaj, duke qenë tekstshkruese vendosa të bëj një këngë ritmike që edhe të mos keqinterpretohet kënga në media. Megjithëse si çdo njeri, unë mund të kem pasur uljet dhe ngritjet e mia si në jetën profesionale ashtu edhe në jetën personale, por gjithmonë jam munduar ta ndaj njërën nga tjetra. Për këtë arsye tekstet e këngëve të mia jo gjithmonë kanë qenë përjetime personale. Unë jam shumë e lumtur dhe nuk jam me aq halle sa mendojnë gazetarët, të cilët kapen pas teksteve të mia dhe pastaj i bëjnë një zbërthim të detajuar të jetës sime private. Tekstet melankolikë janë mënyra ime e të shkruarit që nuk ia bëj vetëm vetes, por jua kam bërë edhe këngëtarëve të tjerë. I kam bërë në të kaluarën dhe do të vazhdoj t’i bëj në të ardhmen. Por uroj që kjo këngë të mos ketë keqinterpretime. Për më tepër gjej rastin t’ju njoftoj se teksti i saj është punuar një vit më parë.
Kjo këngë do të ketë tekst dashurie?
Patjetër. Flitet për një ndarje.
Ke frikë se mund të keqinterpretohet?
Gjithmonë do të ketë aludime. Megjithatë e theksoj: E para kjo këngë është shkruar para një viti dhe e dyta jo gjithçka është realitet sepse çdo krijues ndaj quhet i tillë sepse krijon dhe fut në krijimet e veta edhe pak fantazi.
Në shfaqjen e fundit ishe në rolin e “Mirandolinës”. A është pak “Mirandolina” Rozi edhe në jetë?
Të gjitha femrat në jetë do të donin të ishin “Mirandolinë”. “Mirandolina” është një femër e rritur në një bujtinë, të cilën e ka ngritur i ati. Tashmë është një vajzë që e mban vetë veten pasi i ati është larguar nga jeta, në një bujtinë që vizitohet nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Markezë, kalorës, kontë... “Mirandolina” vetë nuk e ka parë jetën, po jeta i ka ardhur në bujtinë. Edhe unë do të doja të isha një “Mirandolinë”. Kam disa karakteristika të saj, por nuk jam tërësisht si ajo.
A do të ketë një angazhim tjetër në teatër?
Në shtator do të rikthehem sërish me “Mirandolinën”. Më pas pres të bëj një shfaqje tjetër që na është ofruar, por për momentin nuk dua të zbuloj më shumë. Mendoj se do të jetë një shfaqje shumë e bukur.
Nga jeta private, ka të reja?
Jeta private kalon me familjen, motrën, nipin e mbesën, shoqërinë.
Ndonjë person special?
Të gjitha doni t’i dini ju... S’bëj komente. Le të mbetet e imja kjo pjesë.
Si po shkon biznesi?
Shumë mirë... Salloni i nuseve edhe pse në muajt e parë ka pasur jo pak punë. Jam e lumtur për këtë.
Pushimet ku do t’i kalosh?
Ende nuk e kam ndarë përfundimisht, po besoj se do të lëviz jashtë Shqipërisë nga fundi i gushtit...

(d.b/SummerPages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›