E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shqiptarët grevë në burgje

 

GREQI – Shqiptarët e burgosur në Greqi, të cilët u janë bashkuar në grevë bashkëvuajtësve të tyre grekë, kanë shënuar në deklaratat e grevës se kërkonin ndryshimin e ligjeve greke për dënimet e tyre. “Kërkojmë ndryshimin e ligjeve, me të cilët jemi dënuar. Të bëhen ligjet si të vendeve evropiane, pasi edhe vetë Greqia është shtet evropian. Këtu na dënojnë pa fakte dhe na japin maksimumin e dënimit, duke marrë për bazë fjalën e policëve që na kanë arrestuar, pa asnjë fakt. Kjo ndodh sepse Greqia është shtet policor”, citohen pjesë nga deklaratat e grevës, të firmosura nga të dënuarit shqiptarë, të cilët kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës nëpër shtatë burgjet greke që ndodhen në zonën midis Patras dhe Athinës. Duke pretenduar për diskriminim, që buron vetëm nga fakti i të qenit shqiptar, të burgosurit grevistë pohojnë se: “Ne që jemi shqiptarë jemi dënuar me tepër, krahasuar me grekët që kanë kryer të njëjtat vepra penale. Pasi mbarojmë dënimin, ne shqiptarëve na mbajnë 3 deri në 5 muaj më pas në qeli duke pretenduar se do kryejnë verifikime. Realisht nuk kryhet asnjë veprim, ndërsa ne vuajmë burgun padrejtësisht”. Po kështu të burgosurit shqiptarë pohojnë se një formë tjetër e diskriminimit nëpër burgjet grekë është fakti se ata mbahen në godina të veçanta, apo në sektorë të veçantë, ku cilësia e shërbimeve duket hapur që është më e vogël se ajo që aplikohet me të dënuarit grekë. Veç kërkesave specifike për uljen e shkallës së diskriminimit, shqiptarët e dënuar u janë bashkuar të burgosurve grekë duke kërkuar përmirësimin e normës së ushqimit, aplikimin e lejeve shpërblyese dhe kontrollin e çmimeve të artikujve që shiten në marketet e institucioneve të vuajtjes së dënimit. Sipas të burgosurve ushqimet dhe veshmbathjet që blihen nëpër dyqanet që funksionojnë brenda burgut kanë çmime “të kripura” që në shumë raste kalojnë ato jashtë mureve të burgjeve në dyfishin e tyre.  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›