OPINION/ Shejtanllëk televiziv për Fazlliçin
Gjatë një interviste prej një ore, u përsërit mbi “30 herë” pyetja “po si mor z. Fazlliç, një kompani që ka kapital 1 mijë dollarë shitet 2 milionë dollarë, vetëm pas dy vjetësh”. Duke besuar në kulturën e gjerë të gazetarit, përfundojmë se pyetja është bërë me shejtanllëk.
Shejtanllëku synon të përqendrojë dyshimin e spektatorit në një veprim gjoja të kundërligjshëm të z. Fazlliç (biznesmenit të huaj, të akuzuar për afera të pista me kryeministrin dhe rrethin e tij): “1 mija që bëhet shpejt 2 milionë”. Intervistuesi e di mirë se është lehtë të vërtetohet se nuk ka asnjë shkelje ligji në këtë, por e bën tejet alarmante, që kur të provohet se ai veprim është krejt normal, spektatori të mbesë i zhgënjyer, të mërzitet dhe të mos dëgjojë më të vërtetat kryesore që do të pasojnë: mbase veprimet e tjera të z. Fazlliç, në Shqipëri e gjetkë, mund të rezultojnë vërtetë kriminale.
LIGJORE, RRITJA E VLERËS SË KOMPANISË
Që publiku i gjerë të kuptojë se për çfarë flitet, na duhet ta bezdisim me bazat elementare të kontabilitetit. Një kompani mund të formohet ligjërisht, në Shqipëri, edhe po fute vetëm 1 mijë dollarë. Kështu, një SHPK (shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuar), një lloj kompanie kjo, mund të formohet me një kapital themeltar prej vetëm 100 mijë lekë. Po e quajmë Faz kompaninë që paska formuar z. Fazlliç, duke paguar vetëm 1 mijë dollarë. Pra, kur u formua kompania Faz, ajo kishte në zotërim vetëm 1 mijë dollarë. Me shprehje kontabilistësh thuhet se aktivi (asetet) i kompanisë kishte një vlerë 1 mijë dollarë. Kaq ishte edhe kapitali i kompanisë (kapitali themeltar), të cilin e zotëronte 100% (pa ortakë) zoti Fazlliç.
Pastaj kompania Faz paska vendosur të blejë pasuri të paluajtshme, toka në zonën e Porto Romanos në Durrës, apo çdo gjë tjetër xhanëm. Për të blerë tokat, kompanisë Faz i duhen para, por ajo ka veçse 1 mijë dollarë. Një ndër mënyrat për të pasur kompania para, është të marrë borxh. Kështu, kompania Faz mori një borxh prej nja 2 milionë dollarë, por jo tek një institucion bankar por tek një person. Ky person “qëllon” të jetë zoti Fazlliç, vetë pronari i kompanisë. Edhe kjo marrja borxh e 2 milionë dollarëve nga kompania Faz, nuk është ndonjë shkelje e madhe ligji, pavarësisht se lind dyshimi se pse nuk i futi ato para si pjesë e kapitalit themeltar, por i dha borxh—nuk po ju lodhim me hollësi.
Pas marrjes borxh, vlera e kompanisë nuk është më 1 mijë dollarë, por së paku 2 milionë dollarë. Tani kompania me dy milionë dollarë, blen tokë, p.sh. blen nja 20 hektarë me 10 dollarë metrin katror. Pas kësaj blerjeje, kompania ka në pasurinë e saj (në aktivin, në asetet) një tokë me vlerë 2 milionë dollarë (për saktësi, do të thoshim se zotëron 2 milionë e 1 mijë dollarë). Pronari i kompanisë Faz zotëron nga kjo pasuri, vetëm 1 mijë dollarë (kapitalin e kompanisë), kurse institucioni që i ka dhënë borxh kompanisë Faz, zotëron 2 milionë dollarë. (Kontabilistët e shprehin këtë duke thënë: në pasiv, kapitali është 1 mijë dollarë, kurse detyrimet janë 2 milionë dollarë.) E veçanta e kësaj kompanie është se pronari i saj z. Fazlliç, është njëkohësisht edhe “institucioni që i ka dhënë borxh kompanisë”. Edhe deri këtu nuk ka ndonjë shkelje principiale të ligjit.
Vjen koha që kompaninë Faz e blen një kompani nga Qipro. Kompaninë qipriote po e quajmë kompania Qiqra. Në princip, pra për zbatimin formal të ligjit, nuk ka ndonjë rëndësi që pronari i kompanisë Qiqra, është po z. Fazlliç. Natyrisht që kompania Faz kushton së paku 2 milionë dollarë. Themi së paku, sepse në fakt ajo mbase kushton tani edhe 20 milionë dollarë, sepse toka që pati blerë para tre vjetësh, tani ka rritur vlerë. Rritja e vlerës së tokës, thuhet se ka ardhur si rezultat i vendimit të z. Berisha, mikut të z. Fazlliç, që të ndërtojë termocentrale, rezervuare nafte e të tjera, pikërisht aty ku “u tregua shumë i mençëm” e bleu tokë z. Fazlliç nga Bosnja-Serbia- Anglia-Amerika.
Paratë nga shitja e kompanisë Faz, ndahen si vijon: 1 mijë dollarë për pronarin, z. Fazlliç, dhe 2 milionë dollarë për borxhlinjtë, që në këtë rast është po z. Fazlliç. Kështu z. Fazlliç realizoi blerje në Shqipëri si kompani shqiptare, dhe kalimin e pronave të kompanisë (tokave?!) në pronësi të një kompani e huaj: kompania Qiqra në Qipro.
PYETJA QË NUK U BË: A IU SHIT TOKA TË HUAJVE?!
Shpresojmë që kompania shqiptare Faz, kur u shit tek kompania e huaj Qiqra, të mos ketë pasur në pronësi tokë bujqësore, ose të mos ketë pasur truall mbi të cilin akoma nuk janë kryer “investimet në një vlerë jo më të vogël se tre herë vlera e truallit” etj. Në raste të tilla, do të kishim një shkelje skandaloze të ligjeve shqiptare, e konkretisht të ligjeve tona të vjetra e të mirënjohura, ligji nr 7983, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e tokës bujqësore, livadheve dhe kullotave” dhe ligji nr. 7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”. Këto ligje e ndalojnë qartë e prerazi shitjen e tokës së tillë të huajve, qofshin ata dhe persona juridikë (kompani), qofshin dhe miq të kryeministrit. Do të kishim një veprim mafioz, një skandal të paparë të juristëve dhe zyrave të shtetit që do të kishin lejuar një shkelje të tillë.
Kjo ishte pyetja që nuk iu bë z. Fazlliç, e që ne e prisnim ta bënte gazetari çdo çast. Nejse, edhe ne si ai, nuk besojmë të ketë arritur në shkelje të tilla mafioze, ajo studio prestigjioze që dëgjuam të përflitet si asistuesja juridike e z. Fazlliç. Nejse, po ua lëmë të tjerëve ta japin përgjigjen e kësaj pyetje, meqë ne nuk e kemi temë të këtij shkrimi investigimin konkret dhe demaskimin e shkeljeve ligjore të transaksioneve të z. Fazlliç e bashkëpunëtorëve të tij.
LEPURI MUND TË FLERË DHE DIKU TJETËR
Pra, nuk ka asnjë shkelje formale të ligjit thjesht në kalimin “1 mijë në 2 milionë”. Këtë fakt e di mirë gazetari intervistues: ai thjesht bën sikur gjoja çuditet me këtë fakt. Prandaj ne jemi të bindur se ai po bën një lojë për të mbuluar diçka të z. Fazlliç.
Shejtanllëku është i thjeshtë: të tërheqë vëmendjen e publikut sikur këtu fle lepuri, tek “1 mijëshi me 2 milionëshin”, që pastaj të dalë ndonjë “i mençëm” dhe të shpjegojë sa ju shpjeguam më lart. Atëherë do mbyllet shejtanllëku, duke thënë: “aha, kështu qenka puna, nuk paska pasur asnjë shkelje?!”
Shpresa me këtë shejtanllëk është tek ajo pjesë e spektatorëve që lodhen, dhe thonë “hë mo se fjalë kot qenka dhe kjo meseleja e Fazlliçit”, si ato “klanet e Zemunit”, ata “dukët e krimit”, ata “mamuthët”, ata “baronët e drogës” etj. pafund: të gjitha flluska sapuni qenë: ka tre vjet në krye të shtetit, sajuesi i tyre, e asgjë nuk u vërtetua, askush nuk u dënua. Ideatorët e shejtanllëkut shpresojnë se spektatorët nuk do të dëgjojnë ato kryesoret, që mund të fshihen pas kësaj çështjes Fazlliç.
Por ato kryesoret, pjesën që vërtetë mund të përbëjë krim të madh shtetëror, si ajo që përmendëm më sipër (shitja e tokës të huajve), po e investigon ‘Gazeta Shqiptare’ dhe disa media të tjera serioze. Nuk e dimë sa po bën prokuroria, apo policia kriminale, apo SHISH, që duhet të ishin në krye të këtij investigimi dhe në bashkëpunim të ngushtë me njeri-tjetrin. Por sa keq, po shohim se këto organe të shtetit, janë në luftë ndërmjet tyre—nejse, edhe kjo është temë tjetër.
Gjithsesi, po vjen erë shumë e keqe, ku minimalja është favorizimi klientelist i kryeministrit ndaj “një miku” të tij, duke i dhënë informacione shumë të rezervuara; e deri tek vendime qeveritare në përputhje me interesat e z. Fazlliç; e deri dhe tek implikime klanesh shoviniste serbe e proserbe në botën tonë globaliste.
Të shohim ç’do të dalë: mos e dhëntë Zoti të rezultojnë të vërteta, sepse do të ishte një turp dhe një goditje e rëndë për të gjithë ne, për Shqipërinë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)