E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sot betohet qeveria e re

Pak orë pas publikimit të listës së kabinetit qeveritar, qeveria e re socialiste greke ka bërë betimin përpara Presidentit si dhe ka zhvilluar mbledhjen e parë të qeverisë. Papandreu do të jetë njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, post që e ka pasur edhe gjatë viteve 1999-2004 në qeverinë Simitis. Kabineti i drejtuar nga Papandreu do të përbëhet nga 15 ministri, ku risia është Ministria e Mjedisit që shtohet për herë të parë në një kabinet qeveritar në Greqi. Zv/kryeministër është emëruar Teodor Pangalos, ministër i Brendshëm, Janis Ragusis, i Financave, Jorgo Papakostandinu, i Mbrojtjes, Evangjelos Venizellos, i Ekonomisë, Luka Kaceli, i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimes, Tina Birbili. Skema e re qeveritare me 14 ministri dhe 15 ministra, duke shtuar dhe atë shtetit, ka dy ministri dhe 8 anëtarë më pak se ajo e kabinetit Karamanlis. Në qeverinë e re, 24 ministra dhe zëvendësministra janë figura të reja dhe vetëm 12 kanë përvojë të mëparshme qeveritare. Tashmë qeverisë së re greke do t’i duhet të përballet me një defiçit buxhetor me përmasa kolosale, 7 % e prodhimit të brendshëm bruto, kur shifra e lejuar në BE është 3 %, si dhe me nxjerrjen e vendit nga kriza, me anë të paketës stimuluese prej 3 miliardë euro, të premtuar nga kryeministri Papandreu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›