E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, sulmohet autobusi i linjës Athinë-Sarandë



Një autobus me targa shqiptare, është sulmuar natën, duke u gdhirë dita e sotme në rajonin Mesologji të Greqisë Qendrore. Në vendin e quajtur Kefalovriso, persona ende të panjohur kanë goditur me gurë dhe bomba molotov autobusin e linjës Athinë-Sarandë.

Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi konfirmoi lajmin për "Ora News". Bëhet me dije se autobusi i sulmuar ishte me targa SR 58 92 P i linjës "Saranda Express".

Sulmi mendohet të jetë i rastësishëm nga tifozë të ekipit grek "AEK", pasi dje ekipi humbi ndaj Korfuzit. Tifozët e AEK kanë shkaktuar trazira deri pas mesnate.

Leonard Berberi, shoferi i autobusit tha për "Ora News" se autobusi u sulmua nga tre të rinj gjatë natës. Ai nënvizoi se në autobus nuk ka pasur pasagjerë. "Kam bërë denoncimin në polici. Mendoj se agresorët nuk ishin tifozë futbolli. Mendoj se targat shqiptare kanë qenë shkak i sulmit mbi autobuzin", nënvizoi ai.

Përfaqësuesi i Saranda Express",Kristo Loli në një prononcim për "Ora News" pohoi se sulmi u bë nga të rinj që në veshje nuk kishin shenja sportive. "Autobusi po kthehej në Sarandë dhe u hodhën shishe me benzinë dhe gurë mbi autobus. Fatmirësisht autobuzi nuk mori flakë. U thye xhami i përparmë i autobusit dhe disa xhama të tjerë", theksoi ai.
Drejtues të policisë së Shtetit kanë kontaktuar me policinë greke që kanë konfirmuar lajmin duke garantuar se po hetojnë shkaqet dhe zbardhjen e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›