Greqi, vdes shqiptari, qëllohet për vdekje nga patrulla policore
Një shqiptar është qëlluar për vdekje nga një patrullë policore në Greqi. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në qytetin e Volos, ku pas një ndjekjeje me makinë, policët grekë janë kundërpërgjigjur, duke qëlluar me armë ndaj një 34-vjeçari, e duke e vrarë atë. Në makinë ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët kanë arritur që t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë. Sipas informacioneve paraprake, patrulla policore ishte në ndjekje të makinës, në të cilën ndodheshin të tre shqiptarët. Ata i kanë bërë shenjë të ndalonin, por një gjë e tillë nuk është zbatuar nga emigrantët. Ata kanë shtuar shpejtësinë, në përpjekje për t’i shmangur policët dhe të humbnin gjurmët. Patrulla policore nga ana e saj ka kërkuar përforcime. Gjatë momenteve të fundit të ndjekjes, para shqiptarëve ka qenë një postbllok. Ata nuk kanë ndaluar dhe kanë shkuar drejt, duke u përplasur me të, e duke arritur që t’u shpëtonin më pas. Në këto momente, një shqiptar ka qëlluar me armë ndaj policëve grekë. Ata u janë kundërpërgjigjur menjëherë plumbave dhe për pasojë një emigrant është plagosur rëndë, duke vdekur më pas gjatë transportimit për në spital. Dy shqiptarët e tjerë, duke përfituar edhe nga errësira, kanë arritur që t’i shpëtojnë arrestimit. Ata kanë braktisur makinën dhe janë larguar me vrap. Gjatë kontrollit të kryer nga ana e policisë në automjetin e braktisur, janë sekuestruar 20 kilogramë drogë të tipit kanabis sativa. Policia greke po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e dy personave të tjerë, të përfshirë në këtë rast.