Kuvendi rrëzon nismën e deputetëve për paga më të larta
Kuvendi nuk ka miratuar dje një kërkesë të deputetëve me grada shkencore të cilët kërkonin një diferencim financiar në raport me deputetët e tjerë. Neritan Ceka, Argan Starova, Arben Malaj, Pëllumb Xhufi, Gëzim Karapici, si dhe Gjok Vuksani përpiluan një ndryshim në ligjin për statusin e deputetit, ku i kërkuan Kuvendit që t’u rrisë pagat, sepse janë në një nivel më të lartë se të tjerët. Nisma ligjore u miratua në Komisionin e Ligjeve në unanimitet kohë më parë, por Kuvendi i tha “stop”. Ai që ngriti zëri kundër, ishte kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili tha se për këtë nismë nuk është bërë një faturë financiare, si dhe ajo prek statusin e deputetit, çka është sanksionuar në Kushtetutë dhe për këtë duhet amendament kushtetues dhe jo projektligj. Kërkesën e Patozit për shtyrje e pranoi kryetarja Topalli, ndërsa deputetët iniciatorë heshtën. Sipas nismës, Kuvendit iu kërkua që të përcaktohet masa e shpërblimit për deputetët me grada dhe kjo masë të jetë e ndryshme në varësi të titullit shkencor që kanë deputetët. Në relacionin përkatës të projektligjit, shihet edhe mospërfillja që ndiejnë deputetët. Në relacionin e tyre thuhet se deputeti është përfaqësues më i lartë i popullit në organin më të lartë ligjvënës, dhe për këtë gëzon një status të veçantë gjatë mandatit të tij dhe këtë e ka përcaktuar edhe ligji “Statusi i deputetit”, i miratuar në vitin 1999. Sipas deputetëve iniciues, ai status përcakton se cilat duhet të jenë marrëdhëniet juridike që krijon deputeti për shkak të funksionit që kryen, marrëdhëniet me organet shtetërore e vendore, si dhe marrëdhëniet protokollare. Gjithashtu, sipas deputetëve, statusi garanton edhe të drejtat dhe përfitimet në fushën financiare, të cilat janë në përputhje me kuadrin legjislativ ekzistues. Po t’u hedhësh një sy statistikave të 140 deputetëve, në fakt sheh se gjysma e deputetëve do të përfitonin shpërblim për gradën që ata kanë. Në fillim të legjislaturës, sipas statistikave, 42 deputetë kanë grada të veçanta mes tyre, 14 profesorë doktorë, 10 doktorë dhe të tjerë me mastera, por gjatë periudhës trevjeçare të Kuvendit, një pjesë e deputetëve kanë nisur shkollim master dhe me një llogaritje të thjeshtë, del se gjysma e deputetëve shqiptarë kishin kualifikimin për të përfituar dëmshpërblimin.