E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, vritet me armë zjarri një shqiptar, pas sherrit në lokal

LAMIA - Një sherr mes një grupi shqiptarësh dhe një grupi grekësh, ka përfunduar në mënyrë të përgjakshme sot pasdite rreth orës 18:00, në një lokal në Stylida të Lamias, Greqi.

Sipas informacioneve paraprake, disa shqiptarë që ishin duke pirë në një tavernë, kanë filluar të këmbejnë sharje e kërcënime me një grup prej tre grekësh, që ishin në të njëjtin lokal.

Pronari i lokalit ndërhyri dhe për të ndaluar sherrin, dëboi shqiptarët nga lokali i tij duke kërcënuar se do njoftonte policinë. 

Po sipas informacioneve të para, shqiptarët u kthyen pas disa minutash, të armatosur duke kërcënuar pronarin dhe klientët, madje sipas disa dëshmitarëve, edhe shtinë.

Atëherë pronari, një shtetas grek 54 vjec, rrëmbeu një armë gjahu që mbante në kuzhinën e lokalit dhe qëlloi mbi shqiptarët duke vrarë njërin prej tyre.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, për hetimin e ngjarjes dhe për të shmangur ndonjë akt hakmarrjeje.

Dy shqiptarët që ishin me atë që mbeti viktimë, u larguan menjëherë pas vrasjes së bashkatdhetarit të tyre dhe janë në kërkim, ndërsa pronari është arrestuar menjëherë.

Mësohet se pak para orës 19:00, në sheshin e Stilidas, u mblodhën grupe shqiptarësh të zemëruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›