E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nga kryetar në palokryetar!

Agim Xhafka 

Para ca ditësh, një miku im tha një të vërtetë: Më 29 gusht në Kongresin e PS edhe Barak Obama po të vendosë kandidaturën Edi Rama e mund. Thjesht nga që manipulon. Pra ta përlan votën Ai këtë pohim e mbështeti në rrëzimin e projektit të Ramës në Kongresin e mëparshëm dhe çuditërisht votimin e tij në krye të PS, po atë ditë, por vetëm pas 12 orësh!!!
Një mjeshtër merkatoje votash që dhe hajdutët më të sofistikuar të bankave do ta kishin zili. Mbase për t’i kopjuar funksionimin!
Në fakt, Kongresi për çdo shqiptar e shqiptare, që ia ka dëgjuar emrin Edvinit, ose e njeh atë për fytyrë, e di se do të bëhet sa për formë. Sa për t’u shkruar në procesverbale që atje ishin të pranishëm kaq e aq delegatë, folën aq e kaq dhe votuan thuajse të gjithë për humbësin Rama.
Pra, u mbajt një takim festiv që përfundoi me ovacione e thirrje të pandërprera: “Rroftë shoku Rama, nën udhëheqjen e Gramoz Rucit!”
Deri këtu skenari është i kuptueshëm për të gjithë dhe sigurisht askush nuk e konteston.
Se e dinë që Edvini vjedh vota, (madje dhe jashtë partisë së vet, thotë Solis). E dinë që nuk le kandidat tjetër të zhvillojë karizmën, (jo më parë se dje gazetat e tij shkruanin se Korça s’e do Blushin, kur në të vërtetë atje nuk duan Edin). E dinë se parullat e vjetra puniste tani shkruhen: Ç’do Rama bën Gramozi, Serveti, Namiku e të shiturit e shumtë të politikës së re të andruar... E dinë që rreth e qark kryetarit rrinë deputetët që kanë baballarët e tyre pakëz shtatzënë, ngaqë kanë qenë në krye të PP në qendër a në rrethe dhe si të tillë dikë kanë dënuar a degdisur me kuç e maç nëpër skërka. E dinë që kryebashkiaku i Tiranës jep leje ndërtimi për tërë kryesinë e vet. E dinë që ai zotëron mjaft mundësi për të bërë realitet oferta të pabesueshme… E dinë që është pehlivan në lajme të rreme. A ju kujtohet ora e Bushit dhe sajesa për të. Ja ky Edvin e bëri, si një prestigjiator i vërtetë. Shkurt do jetë çudi nëse ai nuk fiton sërish postin e lakmuar të kryetarit të opozitës.
Por ja ecim më tej. Prapë Edvini do na u bëka kryetar. Edhe po mos vodhi vota do të ndryshojë statutin, ku do të shkruajë që dorëhiqet ai kryetar që… i fiton zgjedhjet, jo ai që i humbet!
Por ç’do të ndodhë më pas, të nesërmen kur ai do të shfaqet para shqiptarëve e shqiptareve si triumfator.
Fjalia e parë e çdo njeriu normal do të jetë: “Na mbiu prapë ky dështaku!” Ose: “Doli ky karrigembërthyeri!” Ose: “Ja, po flet palokryetari i PS”
Të gjitha këto nuk janë etiketime që mund të sajohen. Lindin nga realiteti politik që do të zhvillohet pas rizgjedhjes së Edit.
Se ai do t’u thotë të vetëve që të shkojnë në popull e të luftojnë për zgjedhjet lokale p.sh. Por me çfarë platforme, me çfarë frymëzimi, me çfarë morali e me ç’argumente do kërkohet vota? Ose do kërkohet një opozitë ndryshe, më efikase. Por me ç’ide? Me ç’synime? Me ç’alternativa?
Nëse do vazhdohet si deri tani, është i humbur kokë e këmbë. Se zgjedhjet ndaj s’i fitoi, nga kjo lloj politike që bëri e që për fat të keq tonin bën akoma.
Por këto të gjitha s’kanë rëndësi për Ramën. Se ai nuk do PS, por do postin, kolltukun. Se nga ky post i bën presion kujtdo, veçanërisht atyre që merren me ligjin. Duke qenë kryetar opozite do ta ketë më vështirë, p.sh. Prokuroria apo ndonjë organ tjetër që të hetojë për malin e zullumeve të Edvin Ramës.
Ja pra sa thjesht paraqitet realiteti politik i nesërm.
Ndaj as ia ndien fare Ramës që nga kryetar përfundon në një palokryetar. Atij i shkon përshtat: Karvani le të lehë, Edi ecën veç para!
Socialistët e dinë mirë këtë të ardhme të tyre, por s’kanë gjë në dorë. Se vula është te Ruçi dhe Gramozit i duhen edhe ca vjet lejet për tulla, llaç. Më pas u bëftë qameti! Le të mos ketë më PS. Opinioni i masës socialiste është te Serveti, por ky nga pëllumb i së majtës është bërë skifter i Ramës, sa thonë që dhe shkrimet ia bën Edi, dhe Serveti vetëm i firmos. Mund të besohet kur sheh vrullin djaloshar të tij sa herë thotë diçka ndonjë kundërshtar i Edvinit, p.sh. Blushi ose Malaj.
Dështaku Rama kërkon që mosvotimin nga populli t’ia faturojë po popullit. Sa herë e ka ngrënë i ngrati e ka heshtur. Kështu do të bëjë dhe këtë radhë. I keni lexuar letrat nga rrethet ku të gjithë janë njësh me atë që humbi, janë në krah të tij e gati- gati të ekzaltuar thuajse po ia nisin këngës: “Rrofsh Edvin që s’fitove!” Ose: “Oh, sa mirë me qenë dështak!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›