Greqi, zbulohen 10 miliardë të fajdeve
Fatos Mahmutaj
Zbulohen llogaritë e ish-shoqërive piramidale “Cenaj” e “Gjallica” në bankat greke dhe zvicerane. Administratorët e fajdeve kërkojnë në Gjykatën e Tiranës urdhër ekzekutimi për rikthimin e 8.5 miliardë lekëve dhe 1.7 milionë USD. Kërkesat për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit të Administratorëve janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës më datë 17 mars dhe pas procedurave të shortit elektronik kërkesat i janë dorëzuar gjyqtarëve Agron Zhukri dhe Anila Capo. Sipas administratorëve janë gjetur dokumente që tregojnë se Lefter Cenaj, kreu i firmës piramidale “Cenaj”, ka dërguar në Greqi në vitin 1997 një shumë prej një miliard e 250 milionë dhrahmi, të cilat i kishte depozituar në dy llogari të ndryshme në bankën “Trapeza Ergasias” të Athinës, përkatësisht në llogarinë e parë shumën prej një miliardë dhrahmish dhe në të dytën 250 milionë. Saktësisht nuk dihet data se kur është lëvizur kjo shumë nga Shqipëria drejt Greqisë, por administratorët e fajdeve pohojnë se kjo ka ndodhur në fillim të vitit 1997, pasi vendimi gjyqësor i dënimit të “Cenaj” në vitin 2003 përmban faktin se kjo transfertë është firmosur nga ish-funksionari i “Cenaj”, Kristo Goxhi. Po kështu është zbuluar se “Cenaj”, ka transportuar në vitin 1997 drejt bankës “United Overseas” të Zvicrës shumën prej 4.999.700 marka gjermane. Të dyja këto shuma tashmë është konfirmuar se ndodhen në bankat greke, ndërsa gjykata do lëshojë urdhër-ekzekutimin, fuqia e të cilit duhet të jetë i njëjtë në shtetin grek si në Shqipëri. Në të njëjtën ditë me kërkesën për paratë e “Cenaj”, e cila do të gjykohet nga gjyqtari Agron Zhukri, administratorët e fajdeve dorëzuan në Gjykatën e Tiranës të njëjtën kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për shumën prej 1.7 milionë dollarë amerikanë të “Gjallicës”, të cilat gjithashtu janë zbuluar në bankat greke. Këto para janë transferuar në shtetin grek në fillim të vitit 1997 kur Shqipëria ndodhej në kaos, ndërsa krerët e ish-piramidës “Gjallica” nuk e patën të vështirë t’i kalonin paratë në kufi dhe t’i depozitonin në bankat greke, ndërkohë që në Shqipëri kreditorët kishin nisur protestat për humbjen e parave. Zbulimi i shumave të transferuara në Greqi nga ish-bosët e piramidave të para vitit 1997 është një fakt që është zbuluar herët prej autoriteteve shqiptare, por deri tani ka qenë e pamundur gjetja e mënyrës së rikthimit të shumave në Shqipëri. Rreth dy vjet më parë Avokati i Shtetit arriti një marrëveshje me autoritetet ligjore greke, ndërsa tashmë administratorët e fajdeve pohojnë se kanë hyrë në negociata me një studio ligjore në Athinë. Kjo zyrë avokatie pritet të përfaqësojë palën shqiptare në gjykatat e këtij vendi për të ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Tiranës për ekzekutimin e urdhrave të kthimit të parave. Konkretisht urdhrat e nxjerrë nga Gjykata e Tiranës do të paraqiten për tu njohur nga një Gjykatë greke e cila do të urdhërojë bankat ku ndodhen paratë që t’i rikthejnë shumat në llogarinë e Administratorëve të fajdeve në Shqipëri. Pas kësaj, Grupi i Administrimit do të shpallë listat e kreditorëve të cilët do të përfitojnë edhe një shumë tjetër kthimi nga paratë e humbura në vitin 1997.
Cenaj shleu 10 vite burg, çifti Kadria u amnistua
Bosët e piramidave përfunduan dënimet, paratë nuk iu gjetën
TIRANE - Lefter Cenaj dhe dy bashkëshortët Kadria, Shemsie dhe Gani tashmë janë të lirë pasi mundën t’ua hedhin dënimeve me pak vite të kaluara në qeli në rastin më te keq, ndërsa Gani Kadria mundi t’i shpëtojë dënimit pa kaluar asnjë ditë në qeli, për shkak të amnistisë parlamentare të fillim vitit 2007. Edhe pse mundën t’i zhvatnin afro 100 mijë shqiptarëve rreth 400 miliardë lekë në vitin 1997, Cenaj dhe bashkëshortët Kadria tashmë jetojnë të lirë, ndërsa pjesa më e madhe e parave të tyre ende nuk dihet se ku ka përfunduar. Referuar vendimeve gjyqësore, në bazë të të cilëve Lefter Cenaj, Gani dhe Shemsie Kadria janë gjetur fajtorë për mashtrim, janë dënuar respektivisht me 10, 14 dhe 17 vjet burg. Lefter Cenaj, aktualisht 63 vjeç, me anë të ish-firmës piramidale “Cenaj” sipas gjykatës ka përvetësuar rreth 57 miliardë lekë 26 mijë shqiptarëve. Ndërkohë borxhi që “Gjallica”, kompani e dy bashkëshortëve Gani e Shemsie Kadria u ka 70 mijë kreditorëve llogaritet në rreth 332 milionë USD. Cenaj dhe dy bashkëshortët Kadria mendohet se paratë i kanë fshehur jashtë vendit, njëlloj edhe si bosët e piramidave të tjera. Duke përfituar nga mungesa e shtetit në fillim të vitit 1997, krerët e piramidave u larguan jashtë vendit së bashku me paratë që i kishin marrë shqiptarëve me anë të kompanive të tyre të mashtrimit, nëpërmjet joshjes me interesa të larta. Disa vite më vonë, ku u rivendos autoriteti i shtetit bashkëshortët Kadria dhe Lefter Cenaj u morën nën përgjegjësi penale, por askush prej tyre nuk u arrestua,pasi kishin mundur të largoheshin jashtë vendit. Vetëm disa vite më vonë Shemsie Kadria u arrestua në Turqi dhe ekstradua në Tiranë për llogari të autoriteteve ligjore shqiptare. Cenaj u prangos në Greqi për evazion fiskal dhe vuajti një dënim me 5 vite burg, ndërsa Gani Kadria nuk u arrestua kurrë. Në fillim të vitit 2007 Shemsia u lirua në bazë të amnistisë, pasi përfitoi nga mosha, ndërsa bashkëshorti i saj Ganiu, iu drejtua gjykatës për t’u amnistuar pasi përfitonte nga vepra për të cilin ishte dënuar. Ndërkohë Cenaj pasi vuajti 5 vite burg në Greqi u lirua dhe më pas u riprangos për llogari të Shqipërisë ku u dërgua për të vuajtur dënimin. Pas dy vitesh burg në Shqipëri ai ia hodhi dënimit 10 vjeçar të dhënë nga gjykatat. fa.ma.