Punë falas në këmbim të ndihmës ekonomike
BURREL - Në këmbim të ndihmës ekonomike, 1400 persona në Burrel do të kushtëzohen me punë publike në komunitet. Ata do të jenë të detyruar të jenë në “dispozicion” të Bashkisë për punë të ndryshme në këmbim të shumës mujore që ata marrin, 3-5 mijë lekë, në varësi të numrit të anëtarëve të familjes. Vendimi i Këshillit Bashkiak pritet të sjellë edhe reagimet e qytetarëve, shumë prej të cilëve nuk paraqiten të gatshëm për të punuar për komunitetin falas, vetëm në këmbim të shumës së pakët të ndihmës ekonomike. Vendimi është marrë pak ditë më parë në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak në Burrel. Propozimi i bashkisë ka sjellë debate dhe skepticizëm tek anëtarët e këshillit, të cilët gjithsesi në fund i dhanë “OK”. Gjatë kësaj mbledhjeje u miratua ndarja e fondit të ndihmës ekonomike për muajin shkurt 2010. Nga 675 kërkesa të paraqitura, 757 rezultuan me dokumentacion të rregullt. Kryetari i Bashkisë, Skënder Lleshi sqaroi këshilltarët në lidhje me projektin e hartuar, duke pohuar se kjo njësi ka realisht nevojë për njerëz që duhet të punojnë për pastrimin e qytetit, sistemimin e rrugëve trotuareve, etj, në këmbim të përfitimit të ndihmës ekonomike. Disa këshilltarë u shprehën se duke aplikuar këtë projekt mund të dalin nga skema persona që e përfitojnë atë padrejtësisht, pasi ndihmë ekonomike mund të marrin edhe persona që janë jashtë shtetit. Në këtë mbledhje ka pasur debate edhe në lidhje me miratimin e listës së qytetarëve që përfitojnë kredi për blerjen e banesave me kosto të ulët. Fillimisht kanë aplikuar 57 familje të këtij qyteti, por komisioni i ekonomisë pranë këtij këshilli ka vërejtur se vetëm 8 nga këto familje plotësonin kushtet. Po në këtë mbledhje u diskutua edhe në lidhje me pronat e Bashkisë ku administrata paraqiti një relacion për dhënien me qira të disa objekteve. h.p